Kongresin e Manastirit e kanë kujtuar sot edhe liderët në Kosovë.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti duke marrë shkas nga 111 vjetori i Kongresit te Manastirit, bëri apel që ai Kongres të bëjë jehonë edhe sot. Kurti me anë të një statusi në Facebook thekson se bashkimi politik e ndërveprimi mes shqiptarëve është mëse i nevojshëm.
Kreu i Vetëvendosjes thekson se shqiptarët përpara se të merren me takime e samite të nxituara, duhet të vijojnë me synimin e rilindësve me bashkëpunime të mirërealizuara.
“Kumti i Kongresit të Manastirit duhet të bëjë e do të bëjë jehonë edhe sot. Bashkimi politik e ndërveprimi mes shqiptarëve është mëse i nevojshëm. Para se të merremi me takime e samite të nxituara, duhet të pararendim në synimin e rilindësave tanë, qetësisht e mirë analizuar. Pikënisje le të jetë qyteti i Manastirit, shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për një konsullatë funksionale e me një administratë ku mund të drejtohen, e jo vetëm emërim të një konsulli pa adresë. Nëse Kongresi i Manastirit krijoi kushtet për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim kombëtar, synimi i sotëm duhet t’i përafrohet asaj kohe. Qeveria jonë e ardhshme do të punojë në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë do ta bëjë në bashkërendim me qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin mund t’i shtyjmë përpara interesat tona kombëtare për shtetndërtim e progres“, shkruan ndër të tjera Kurti.