Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese votash një ligj që konfirmon mbështetjen e Kongresit për NATO-n, lëvizje kjo e cila u pa menjëherë si paralajmërim ndaj presidentit Donald Trump që të mos tentojë tërheqjen e Amerikës nga aleanca më e madhe ushtarake e globit.
Ka pasur shqetësime në rritje lidhur me angazhimin e shefit të Shtëpisë së Bardhë ndaj organizmit 29 anëtaresh.
Ligji i miratuar me 357 vota për dhe 22 kundër, pohon se është politike e SHBA-së të mbetet pjesë e aleancës veri-atlantike dhe ndalon përdorimin e fondeve për largimin prej saj.
Madje përveç konfirmimit të kontrollit të Kongresit mbi paratë, ky legjislacion ripohon edhe mbështetjen e SHBA-së ndaj NATO-s si dhe klauzolën e mbrojtjes së ndërsjelltë.
Në të shprehet po kështu mbështetje për Malin e Zi, si anëtarin më të ri të NATO-s, për financimin e “fuqishëm” të SHBA-së për Iniciativën Evropiane të Ndalimit, ndërsa përforcohet qëllimi që secili vend anëtar të shpenzojë për mbrojtjen të paktën 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm bruto deri në vitin 2024.
Kohë më parë, duke cituar burime të qeverisë federale, New York Times raportoi se Trump ka hedhur idenë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja, veprim ky që praktikisht do ta shkatërronte aleancën, e cila shënon 70-vjetorin e themelimit të saj në Prill të këtij viti.