Marrëveshja e arritur mes Vetëvendosjes dhe LDK-së parashikon zhvendosjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, në një post ministror. Konjufca u votua si kryetar Kuvendi me 75 vota pro, 27 kundër dhe 6 abstenim, në seancën e 26 dhjetorit 2019. Nënkryetari i Vetëvendosjes, i votuar nga deputetët e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, përfshirë ato të LDK-së, lë kështu detyrën pak më shumë se një muaj pasi e ka marrë.
Rasti i Konjufcës të kujton qëndrimin e shkurtër në detyrën e presidentit të Behgjet Pacollit. Në 22 shkurt të vitit 2011, Pacolli u zgjodh në detyrën e kreut të shtetit, por e mbajti atë vetëm 35 ditë.
Shkak u bë një kërkesë e 34 deputetëve të LDK-së dhe AAK-së, të cilët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për procedurën e zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit.
Behgjet Pacolli u zgjodh me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, në raundin e tretë të votimit. Të pranishëm në sallë gjatë tri raundeve të votimit ishin vetëm 67 deputetë, ndërsa sipas Kushtetutës në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave për zgjedhjen e presidentit. Mungesa e 80 deputetëve të pranishëm në sallë në dy raundet e para të votimit u konsiderua si jokushtetuese dhe u bë shkak për dorëheqjen e Pacollit vetëm 35 ditë pasi kishte marrë detyrën.
Megjithatë, rastet ngjajnë vetëm në kohën e shkurtër të qëndrimit në detyrë (Pacolli 35 ditë, Konjufca 39 ditë). Glauk Konjufca u zgjodh kryetar Kuvendi në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën. Por zgjedhja e tij u bë në një kohë kur marrëveshja Vetëvendosje-LDK ishte ende në fazën e diskutimit. Pavarësisht se e mbështeti me votë, LDK kërkoi më pas postin e kreut të Kuvendit, detyrë për të cilën Vetëvendosja ra dakord pas disa javësh të tjera negociata.