Kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi sot nevojën që Europa të bëhet më e pavarur në prodhimin e maskave sanitare, ndërkohë që kërkesa e tyre e madhe për të luftuar COVID-19 ka nxitur një konkurrencë të pamëshirshme globale.
“Megjithëse ky treg, aktualisht, është i vendosur në Azi, është e rëndësishme që të mësojmë nga kjo pandemi se është gjithashtu e nevojshme të kemi një pavarësi të caktuar, ose të paktën një shtyllë për të kryer prodhimin tonë, në Gjermani ose në Europë”, tha Merkel në një konferencë për shtyp.
Kancelarja ka refuzuar edhe një herë, në mënyrë të vendosur në këtë fazë, çdo lehtësim të masave kufizuese të aplikuara në vend.
Ajo theksoi, gjithashtu, se një lehtësim i mundshëm do të bëhet vetëm me etapa.
Gjermania nuk ka dekretuar kufizime të rrepta, si Franca apo Italia, por të gjitha shkollat dhe shumica e dyqaneve janë të mbyllura.
Të gjithë janë të ftuar të punojnë në shtëpi, kur është e mundur dhe janë ndaluar tubimet e më shumë se dy personave në hapësirën publike.
Të gjitha këto masa janë në fuqi të paktën deri më 19 prill.
Presidenti Steinmeier do të mbajë një fjalim të pashembullt televiziv mbi COVID-19
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do t’i drejtohet kombit në një fjalim të rrallë televiziv mbi zhvillimet e fundit të koronavirusit gjatë fundjavës së Pashkëve.
Fjalimi do të shfaqet pas lajmeve kryesore të mbrëmjes në transmetuesit publik gjerman ARD dhe ZDF. Është hera e parë që kreu gjerman i shtetit ka bërë një fjalim të tillë për çështjet aktuale, përveç transmetimit të tij vjetor të Krishtlindjeve.
Ditët e fundit Steinmeier ka lëshuar disa videomesazhe që ftojnë qytetarët të qëndrojnë të bashkuar dhe të ushtrojnë durim mes kufizimeve që synojnë të frenojnë përhapjen e koronavirusit.