Nga Çapajev Gjokutaj
Po të zuri, sakën se shkon në spital – më këshillonte kasapi ndërsa po copëtonte një kofshë viçi për të nxjerrë ragu. Ishte i bindur si një e një që bëjnë dy, se të moshuarit me kovid, që shtroheshin në spital, i shpinin drejt e në morg. Si të mos mjaftonte mynxyra që rrëfente këmbëngulte se këtë ia kishte thënë komshiut të vet i kunati mjek.
Siguria e kasapit më kujtoi një kamarjer të ngeshëm që, në një bar thuajse të boshatisur në bregdetin e Qerretit, shtatorin e shkuar, më tregonte historinë e nënës së një imami. E kishte shkruar vetë efendia në fejsbuk, këmbëngulte.
Meseleja qe e thjeshtë, imami kishte shtruar në spital të ëmën se lëngonte nga kovidi dhe kishte dalë të blinte ilaçet e rekomanduara prej mjekut. Siç janë spitalet tona, komentonte kamarieri, s’kanë ilaçe dhe shtiren se të bëjnë nder, kur të thonë se e gjen në filan farmaci. Kur imami qe kthyer në pavjon i kishin thënë se e ëma kishte vdekur, ndaj e kishin mbartur në morg.
I alarmuar kishte zbritur në morg, kishte gjetur të ëmën në kllapi, e kishte marrë e shpurë në një spital privat dhe kështu plaka e gjorë kishte shpëtuar. Kamarjeri shtonte se kishte dëgjuar që kseberja e të moshuarve në spitalet publike ishte gjë e zakonshme, madje mjekët shpërbleheshin me një lloj honorari për çdo plak a plakë të hequr qafe. Janë shtuar shumë pensionistët , arsyetonte, dhe shteti s’e ka të lehtë t’u paguaj pensionet, rimbursimet e ilaçeve e më the e të thashë.
Me mirësjellje i thashë se nuk besoja që të afërmit e pacientëve me kovid lejoheshin të hynin në ambjentet e infektivit. Po kamarieri këmbënguli dhe më siguroi se imami nuk kishte pse trillonte, për më tepër si njeri i perëndisë. Ishte e kotë të vazhdoja diskutimin e t’i thoshja se rrëfenja me nënën e imamit ishte e pabesueshme dhe kërciste në shumë detaje. Ata që besojnë teoritë konspirative nuk para pëlqejnë analizat e detajuara, u mjafton të lidhin dy-tri fakte në rend shkak – pasojë dhe petulla është gati për treg.
Pak më vonë, duke shëtitur buzë detit, iu riktheva dhe një herë rrëfenjës së kamarjerit dhe, mbështetur mbi kundërveniet ‘imam – mjekësi’ dhe ‘spital publik – spital privat’, pata ngasjen të zbuloja grupe e synime djallëzore. Nisa të dyshoja se rrëfenja ishte stisur për interesa feje a biznesi, dmth spitalesh private.
Por kjo zgjati vetëm pak çaste se ai tjetri, që fle brenda meje, u zgjua dhe me zë përqeshës nisi të më thoshte: mëndje e zgjuar dole, mbi konspiracionin e kamarjerit po ndërton konspiracione ala Sherlok.
Ku ta dish se rrëfenjat me konspiracione, aq të hasura gjatë kësaj pandemie, nuk vijnë aq nga jashtë sesa nga thellësi gjysëm të errëta brenda nesh. Frikërat dhe pasiguritë përballë rrezikut të infektimit përpiqemi t’i bëjmë zap duke zbuluar keqbërës e synime djallëzore, sipas parimit: më mirë përballë armiqsh të njohur e të parashikueshëm sesa përballë të panjohurës e kaotikes.