Brenda vitit, të gjithë ashensorët që janë të instaluar në pallate, duhet t’i ushtrohen kontrollit të sigurisë dhe të marrin certifikimin pranë Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Sipas të dhënave të këtij Inspektorati, shumica e ashensorëve të vjetër janë jashtë standardeve të sigurisë, çka kërcënon përditë jetën e banorëve.
Përgjegjësia për mirëmbajtjen e ashensorëve u takon administratorëve, të cilët nëse lejojnë të jetë në punë një ashensor jashtë standardeve janë në shkelje të ligjit dhe rrjedhimisht do të kenë përgjegjësi penale në rast aksidenti. Sipas Inspektoratit të Tregut, përgjegjësia për riparimin e ashensorëve të vjetër deri në 5 vjet është e ndërtuesit dhe mbi 5 vjet e banorëve.
Duke nisur nga ky vit, asnjë prej ndërtuesve nuk mund të marrë lejen e shfrytëzimit pa projektuar si duhet zonën ku do të ndërtohet ashensori dhe pa përmbushur standardet e sigurisë. Në të dhënat e Inspektoratit, aktualisht shumë ashensorë në kryeqytet janë jashtë funksionit pas tërmetit të 26 Nëntorit, pasi ndërtimi i tyre është bërë me tulla dhe jo me beton-arme.