Me thirrjet “Rama ik” nisi ditën e sotme Konventa Kombëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nga ku pritet të prezantohet programi për daljen nga kriza.
Në fjalën e saj, Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, u shpreh se ne duhet të ngremë një sistem që do të presë çdo dorë që kërkon të vjedhë.
“Shqiptarët tashmë nuk i gënjen dot as Rama dhe as klonet e tij lokale nëpër Shqipëri. Nuk i gënjejmë dot as unë dhe as bashkudhëtari im i opozitës. Kanë krijuar alergji për politikën, kjo vjen se rezultat i mosbesimit që njerëzit e thjeshtë kanë akumuluar.
Ne mund të fitojmë buzëqeshjen e shqiptarëve vetëm duke nënshkruar një kontratë të sinqertë dhe të ndershme me ta. Ne duhet të ngremë një sistem që do të presë çdo dorë që kërkon të vjedhë. Tashmë duhet me ligje, me nene, e zeza mbi të bardhë sepse shqiptarët janë lodhur me premtime.
Beteja jonë është shembja e këtij sistemi të kalbur, që brezat e ardhshëm të kenë mundësi të mësojnë dhe të punojnë. Sa më parë të shembet ky regjim aq më shumë shanse do të kenë shqiptarët për rritje rrogash dhe integrim Europian. Me këtë Kryeministër ne humbëm mundësinë për hapjen e negociatave, madje mund të na rikthejë edhe vizat.
Ftoj të gjithë ata socialistë të tradhtuar, të luftojmë së bashku për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.