Quhet Kopuk, i racës retriever, qeni që ishte caktuar me ekipin e tij të shpëtimtarëve në Malatya, qytet në provincën turke të Kahramanmarasit, që u godit më rëndë nga tërmeti.
Që nga mbërritja e tij, Kopuku filloi menjëherë nga puna duke udhëhequr shpëtuesit atje ku ende ndjente erën e jetës.
Ai u plagos te putrat, duke gërmuar nëpër rrënoja, dhe iu bënë disa qepje.
Por, Kopuku nuk u ndal, duke kontribuar, sipas medias turke, në shpëtimin e të paktën pesë personave.
”Ndërkohë, Proteus, një nga 16 qentë e ardhur nga Meksika, si ndihmë për autoritetet turke, ngordhi”, njoftoi dje Ministria meksikane e Mbrojtjes.
Ministria nuk bëri të ditur shkakun e ngordhjes së Proteusit.
”Faleminderit Proteus për veprën tuaj heroike, ju e keni arritur misionin e ushtrisë meksikane”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
”Pjesëtarët e ushtrisë së Forcave Ajrore Meksikane janë hidhëruar thellë për humbjen e shokut tonë të madh, qenit Proteus, në kërkimin dhe shpëtimin e vëllezërve tanë në Turqi. Ne jemi krenarë për ju”, tha Ministria meksikane e Mbrojtjes.