Aktualitet Koraqi: Plazma e gjakut mund të përdoret edhe në Shqipëri, pse virusi...

Koraqi: Plazma e gjakut mund të përdoret edhe në Shqipëri, pse virusi dobësohet në verë

Anëtari i Task-Forcës për koronavirusin në Shqipëri, Andi Koraqi ka deklaruar në një intervistë për Abc News se Shqipëria i ka mundësitë të përdorë plazmën e gjakut të pacientëve të shëruar nga koronavirusi për të ndihmuar të sëmurët aktivë, por theksoi se ky është një vendim që do duhet të merret nga autoritetet.

Ai theksoi se masat e marra për parandalimin e përhapjes së këtij virusi kanë ndikuar që kurba e infeksionit në vendin tonë të qëndrojë e sheshtë, por nënvizoi rëndësinë e hetimeve të gjera epidemiologjike për të identifikuar sa më shumë raste të prekura.

“Plazmën e ka përdorur Izraeli. Është një mënyrë që mund të përdoret edhe në Shqipëri. Vendimi varet nga institucioni. Ka disa etapa që kalojnë për t’u aplikuar.

Kemi evoluim shumë të mirë të sëmundjes. Masat kanë treguar që janë efikase. Qëllimi i atyre masave ishte ulja e Kurbës në formë të sheshtë. Deri tani ia kemi arritur kësaj gjëje.

Unë do thoja se nuk është e rëndësishme bërja e testeve sa hetimi epidemiologjik. Ata duhen testuar dhe kështu mund të arrijmë rezultate”, tha Koraqi.

Ai tha se me nisjen e stinës së verës dhe rritjen e temperaturave do të vihet re një dobësim i virusit për shkak se spërklat e pështymës apo kollës e humbasin aftësinë për të shkuar larg në temperatura të larta. Megjithatë ai tha se i vetmi shpëtim nga ky virus mbetet vaksina.

“Stina e verës do sjellë një ulje të fuqisë transmetuese të virusit, sepse edhe spërklat që lëshon dikush me kollë, e humbin aftësinë për të shkuar sa më larg. Kjo duhet parë pasi ende nuk dimë më shumë se kaq. Është një virus me shumë të panjohura.

Koronavirusët kanë acidet nukleike ose bërthamën më të madhe. Kanë shumë gene në vetvete. Shumica e sekuencave mbeten të panjohura. Shumicën e faqeve nuk ia njohim këtij virusi. Shpëtimi do të vijë nga vaksina, nuk ka mënyrë tjetër”, tha Koraqi.