“Një test shumë i rëndësishëm që do të ndikojë në përmirësimin e pozicionit strategjik të vendit”. Kështu e ka cilësuar agjencia shtetërore e Koresë së Veriut, testin e zhvilluar së fundmi në një zonë për hedhjen e satelitëve. Ajo nuk dha detaje të tjera por analistët besojnë se mund të bëhet fjalë për një raketë balistike ndërkontinentale.
Akti provokues i radhës vjen ndërsa Peniani u duk se i mbylli derën bisedimeve të mëtejshme me SHBA.
“Nuk kemi nevojë për bisedime të gjata me Shtetet e Bashkuara dhe çarmatosja bërthamore është hequr nga tryeza”, tha të shtunën i dërguari i posaçëm i Koresë së Veriut në OKB, Kim Song.
Peniani caktoi një afat deri në fund të vitit për arritjen e një ujdie që do të përfshinte lehtësim të sanksioneve ndaj shtetit komunist, ose në të kundërtën do të ndiqte një rrugë tjetër. Trump ka thënë se ende shpreson në arritjen e një marrëveshje.