Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kinë pësoi një rënie të vogël në 24 orët e fundit, pas më shumë se tre javësh kur epiqendra e përhapjes së tij u mbyll totalisht nga autoritetet duke mos lejuar asnjë person të hyjë apo të dalë jashtë saj.
Virusi vdekjeprurës, i cili mendohet ta ketë origjinën nga një treg ku shiteshin kafshë të egra në provincën kineze të Hubeit, e ka vendosur Partinë Komuniste në një sfidë të madhe për të parandaluar përhapjen e tij dhe në të njëjtën kohë për të minimizuar dëmet e ekonomisë të dytë më të madhe në botë.
Të dhënat e fundit nga Pekini zyrtar raportojnë për 68 500 të prekur nga koronavirusi, prej të cilëve 1665 kanë humbur jetën. Ndërkohë që një ditë më parë është regjistruar dhe viktima e parë nga ky virus në Europë.
Komisioni kombëtar i Shëndetësisë bën me dije se gjatë të dielës u regjistruan 2009 raste të reja të prekurish krahasuar me 2641 raste që ishin një ditë më parë. Në 24 orët e fundit pati 142 viktima, një më pak se dita e shtunë.
Provinca Hubei dhe kryeqyteti i saj Wuhan janë izoluar prej datës 23 janar dhe që prej asaj dite të gjitha shkollat, zyrat, uzinat janë mbyllur nga frika e përhapjes së koronavirusit.