Kryesore Koronavirusi/ Italia mbyll shkollat, rritet numri i të shëruarve

Koronavirusi/ Italia mbyll shkollat, rritet numri i të shëruarve

Edhe pse numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 107, lajmi i mirë vjen nga Italia për numrin e të shëruarve, i cili është rritur ndjeshëm.

Shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, ka bërë të ditur se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 116 persona, duke e çuar në 276 numrin total të të shëruarve.

Ndërkohë, qeveria italiane ka vendosur mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve në territorin e vendit, deri në mesin e muajit mars, në përpjekjen për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Italianëve u është kërkuar të ndryshojnë stilin e jetesës të paktën për 30 ditë. Nuk do të ketë shtrëngime duarsh, përqafime, apo grumbullime publike përfshirë ato sportive. Ndeshjet e futbollit mund të zhvillohen vetëm me dyer të mbyllura.

Qeveria synon, gjithashtu, të fuqizojë sistemin shëndetësor me një rritje prej 50 përqind të shtretërve në terapi intensive, ku po ndihet edhe më shumë emergjenca e koronavirusit.