Koronavirusi i ri mund të ketë qarkulluar në Veri të Italisë për disa javë përpara se të zbulohej, duke penguar kështu përpjekjet e autoriteteve për të kontrolluar përhapjen e tij të shpejtë në të gjithë Europën.
Sikur të mos mjaftonte kjo, testet laboratorike zbuluan të premten se koronavirusi i gjetur tek një pacient italian kishte ndryshime gjenetike në krahasim me virusin origjinal që ishte shfaqur në Kinë.
Massimo Galli, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Milanos dhe drejtor i spitalit “Luigi Sacco” në Milano, tha se provat paraprake sugjeruan se virusi mund të ishte përhapur javë përpara vendosjes së Lombardisë dhe Venetos në karantinë.
“Unë nuk mund të konfirmoj në mënyrë absolute, por disa prova sugjerojnë se virusi qarkullon prej kohësh në Itali”, tha ai. “Ka sugjerime se virusi mund kanë qenë i pranishëm në Itali që nga mesi i janarit.”
Shpërthimi i koronavirusit, i cili tani ka infektuar më shumë se 821 persona dhe është përhapur nga Italia në të gjithë Europën, raportohet të këtë filluar të qarkullojë javë të tëra përpara zbulimit të pacientit të parë, përpara se fluturimet midis Italisë dhe Kinës të pezulloheshin në fund të janarit.
Ky zbulim ka alarmuar autoritetet në të gjithë Europën, të cilat deri më tani janë përqendruar tek kontrollet në aeroporte për të identifikuar individët që kthehen nga zonat me rrezik të lartë, përfshirë Italinë, ndërkohë që brenda vendit mund të ketë njerëz të infektuar që e kanë përhapur virusin përpara se t’u shfaqen simptomat.
“Mund të dëgjojmë ambulancat që ikin dhe vijnë, dhe ndoshta ato do të shkojnë tek njerëz të sëmurë që nuk kanë asnjë lidhje me koronavirusin, por na shqetëson po e njëjta gjë“, thotë Davide Benelli nga shtëpia e tij në Kazalpusterlengo, një qytet me rreth 15,000 banorë që ndodhen në “zonën e kuqe” ku shpërtheu sëmundja një javë më parë.
Pothuajse 900 raste me koronavirus janë konfirmuar në vendin fqinj. Autoritetet kanë futur karantinë një pjesë të rajonit më të zhvilluar të Italisë, duke mbyllur karnavalet e Venecias, një nga ngjarjet kryesore të tij turistike dhe shtyrë shfaqjet e modës në Milano.
Rasti i Italisë zbulon se sa e ndjeshme mund të jetë një ekonomi perëndimore ndaj epidemive. Veriu i Italisë, i cili është rajoni më industrial i Europës, përmban gjithçka nga depot dhe qendrat logjistike për kompanitë deri tek qendrat e përpunimit të djathit dhe qumështit. Sindikatat vendase të inxhinierisë thonë se rreth 6,000 punëtorë janë dërguar në shtëpi ose po punojnë me orare të shkurtuara.
Mjekët thonë se përhapja e papritur e epidemisë brenda një kohë të shkurtër lidhet me faktin se ai “ka qarkulluar” prej javësh në rajon, përpara se autoritetet të përhapin alarmin. Personat e parë të infektuar duket të kenë injoruar simptomat, të cilat janë shumë të ngjashme me ato të një grip të zakonshëm, ndërkohë e përhapnin virusin tek të tjerë pacientë. Duke qënë se virusi ka një periudhë ikubimi prej dy javësh (periudha nga infektimi tek shfaqja e simptomave), ai ka vazhduar të përhapet për javë të tëra, përpara se të zbulohej nga autoritetet italiane. Kjo ka vështirësuar edhe punën e Italisë për zbulimin e pacientit zero.
Raportet se koronavirusi ishte përhapur që nga mesi i janarit dolën pasi Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi se shpërthimi i epidemisë po bëhej më i madh dhe së shpejti mund të shfaqej pothuajse në çdo vend të botës.
“Skenari më i mundshëm është që koronavirusi të arrijë në shumë vende, për të mos thënë në gjitha vendet e botës. Kjo është diçka që ne kemi parashikuar dhe paralajmëruar kundër prej kohësh”, tha një zëdhënës i OBSH-së.