Bota Koronavirusi, Kina e zemëruar me Italinë. Presidenti Xi shfaqet me maskë mbrojtëse

Koronavirusi, Kina e zemëruar me Italinë. Presidenti Xi shfaqet me maskë mbrojtëse

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang njoftoi sot se Italia duhet të përmbahet nga adaptimi i masave të tepërta, pas mosmarrëveshjeve midis Pekinit dhe Romës për bllokimin e fluturimeve brenda dhe jashtë Kinës, në vazhdën e urgjencës së koronavirusit.

“Kina është e zemëruar me ne”, shkruhej në titullin e faqes së parë të gazetës italiane “La Repubblica”, në një raport ku shkruhej se bllokimi ajror i vendosur nga qeveria italiane dhe pasojat ekonomike kanë irrituar Pekinin dhe tani marrëdhëniet janë në nivelin më të ulët.

“La Repubblica” njoftoi se presidenti Sergio Mattarella kishte ndërhyrë për të rregulluar marrëdhëniet diplomatike.

“Shpresojmë që Italia ta vlerësojë situatën në mënyrë objektive dhe të arsyeshme, duke u bazuar në shkencë, që të mund të respektojë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të mos adaptojë masa të tepërta”, deklaroi Geng.

Ndërkohë, Presidenti i Kinës, Xi Jinping, është shfaqur për herë të parë në publik që prej shpërthimit të epidemisë nga koronavirusit. Ai mbante një maskë mbrojtëse ndërsa iu nënshtrua matjes së temperaturës së trupit. Ky zhvillim ndodhi gjatë inspektimit të një qendre për parandalimin dhe kontrollimin e sëmundjeve në një zonë të Pekinit.

Presidenti, sipas asaj që raporton Xinhua, ka kërkuar informacione për parandalimin e epidemisë në fazat e para të saj dhe për mënyrat e mbrojtjes.