Bota Koronavirusi, Kina pranon mangësi në reagimin ndaj epidemisë

Koronavirusi, Kina pranon mangësi në reagimin ndaj epidemisë

Lidershipi kinez raportoi të meta dhe mangësi në reagimin e vendit ndaj epidemisë vdekjeprurëse të koronavirusit.

Pohimi i rrallë erdhi nga Komiteti i Përhershëm i Byrosë Politike, i cili kërkoi për përmirësim të sistemit të menaxhimit të emergjencave: “Në kundërpërgjigje të të metave dhe mangësive që u shfaqën në reagimin kundër epidemisë, ne duhet të përmirësojmë sistemin e menaxhimit të emergjencave dhe aftësitë tona për të përballuar situata të rrezikshme dhe urgjente”.

Ai njoftoi gjithashtu nisjen e një fushate të egër kundër tregjeve të paligjshme të gjësë së gjallë, ku besohet të jetë shfaqur fillimisht virusi.

Bilanci i viktimave ka shkuar në 425, ndërsa rastet e konfirmuara janë mbi 20 mijë. Ndërkaq, mësohet se 635 pacientë janë trajtuar me sukses kundër koronavirusit në Kinë dhe vetëm gjatë 24 orëve janë regjisturar 160 raste shërimesh.

Autoritetet janë akuzuar për nënvlerësimin e virusit në fillimet e epidemisë dhe në disa raste, për fshehje të informacionit. Një mjek i cili ishte përpjekur të paralajmëronte kolegët për situatën në fillim të muajit janar, u akuzua për deklarata të rreme. Vetëm më vonë gjatë janarit, qeveria zbatoi masat e emergjencës, duke urdhëruar izolimin e rajonit të Hubeit.

Të martën, Hong Kongu konfirmoi rastin e parë të vdekjes nga koronavirusi, viktima e dytë që shënohet jashtë Kinës. 39-vjeçari, që vuante nga një sëmundje e fshehur, kishte vizituar Wuhanin në 21 janar.

Hong Kongu ka mbyllur 10 nga 13 vendkalimet kufitare, ndërsa Tajvani njoftoi se nga e premtja do t’i mohonte hyrjen të gjithë shtetasve që kanë qenë në Kinë gjatë 14 ditëve të fundit.