Frika nga Covid-19 ka detyruar shumë vende të ndryshme të marrin masa drastike për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Mes masave të forta është dhe ajo e mbylljes së kufijve apo kufizimi i fluturimeve me vendet më të prekura.
Kështu kompanitë “British Airways” dhe “Ryanair” kanë anuluar dhjetëra fluturime mes Britanisë dhe shumë vendeve të Evropës, e cila tashmë është kthyer në një nga zonat me numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus.
“British Airways” ka vendosur të ndërpresë fluturimet nga Heathrow në Itali, Francë, Austri, Belgjikë, Gjermani, Irlandë, Zvicër.
Ajo që bie në sy është se kompania ajrore britanike ka vendosur të anulojë fluturimin nga aeroporti “Gatwick” drejt Shqipërisë edhe pse vendi ynë deri në këto momente nuk regjistron asnjë rast të prekur nga virusi me origjinë nga Kina, Covid-19.
Përmes një njoftimi, “British Airways” shprehet se kjo masë mund të jetë e ndryshueshme dhe ajo parashikohet të zgjasë nga 16 marsi në 28 mars.