Bashkia e kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, ka njoftuar që planifikon të kthejë qytetin në një kafene në ambiente të hapura, duke vendosur pjesën më të madhe të hapësirës publike në dispozicion të bareve dhe restoranteve, me qëllim që ata të mund të vendosin tavolinat e tyre jashtë duke respektuar rregullat e distancimit social.
Shteti Baltik, i cili ka regjistruar 1.344 raste dhe 44 vdekje, rifilloi rihapjen këtë javë duke lejuar hapjen e kafeneve dhe restoranteve me tavolina të vendosura në ambiente të hapura, parukerive dhe pothuajse të gjitha dyqaneve. Por ministria e shëndetësisë ka vendosur rregulla të rrepta për sigurinë dhe distancën fizike. Dyqanet duhet të kufizojnë numrin e klientëve në të njëjtën kohë, maskat janë të detyrueshme në të gjitha hapësirat publike, dhe tavolinat e kafeneve dhe restoranteve duhet të vendosen së paku dy metra larg.
“Në parqe, sheshe, rrugë, kudo kafenetë do të lejohen të vendosin tavolina në ambiente të hapura publike pa pagesë këtë sezon dhe kështu të kryejnë aktivitetet e tyre gjatë karantinës”, tha kryebashkiaku Remigijus Šimašius. “Siguria publike mbeti përparësia kryesore e qytetit, por këto masa duhet të ndihmojë kafenetë që të hapen, të punojnë, të sigurojnë punësimin dhe të mbajnë Vilnius gjallë”.
Tetëmbëdhjetë nga hapësirat publike të qytetit, përfshirë Sheshin e Katedrales qendrore, janë vënë në dispozicion të kafeneve dhe restoranteve, njoftoi bashkia e qytetit, dhe pritet të shtohen më shumë me ardhjen e stinës se verës. Masa është mirëpritur nga pronarët, me më shumë se 160 aplikime për të përfituar nga kjo masë. “Erdhi në kohën e duhur”, tha Evalda Šiškauskienė, anëtare e Shoqatës Lituaneze të Hoteleve dhe Restoranteve, “masa do ndihmojnë në dhënien e shërbimit më shumë vizitorëve dhe rikthimin e jetës në rrugët e qytetit, por pa shkelur rregullat e sigurisë”.
Autoritetet e Vilnius gjithashtu u kanë dhënë punonjësve të shëndetit publik të qytetit, vlera prej 400,000 € kuponë restorantesh, të destinuara si një gjest falënderimi për punën e tyre dhe një stimul shumë të nevojshëm për kafenetë e qytetit.
Por “dhuratat” e Vilnius nuk mbarojnë me kaq. Për herë të parë në histori, një kinema lëvizëse është ngritur në një zonë të aeroportit, ku aeroplanët zakonisht parkohen, shkarkohen, rimbushen dhe futen në bord. Projekti “Aerocinema – Udhëtimi Fillon”, i cili ka filluar më 30 Prill në Aeroportin Ndërkombëtar Vilnius dhe do të zgjasë deri në fund të Majit, është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Vilnius (Vilnius IFF). Përkundër rritjes dhe shtimit të vazhdueshëm të destinacioneve të reja vitet e fundit, fluksi në Aeroportin Ndërkombëtar Vilnius është qetësuar ndërsa pret që të hiqen kufizimet e udhëtimit ndërkombëtar. Organizatorët e Vilnius IFF e panë këtë situatë karantine joproduktive si një mundësi të shkëlqyer për të shfaqur filma ndërsa kinematë janë mbyllur.
Projekti është një shenjë mbështetje si për industrinë e aviacionit ashtu edhe atë të filmit, të cilët po kalojnë kohë të vështira si rezultat i kufizimeve të shkaktuara nga pandemia. Sipas Algirdas Ramaška, Drejtori i Përgjithshëm i Vilnius IFF, njerëzit kanë dëshirë të udhëtojnë dhe të përjetojnë adrenalinën që shpesh ndiejmë në aeroporte ndërsa presin të nisë një udhëtim të ri. Aerocinema do të ofrojë një lloj të ri të udhëtimit përmes një ekrani gjigand.
“Ne duam të krijojmë një përvojë unike. Të dalësh në një zonë aeroporti, në të cilën zakonisht është e mundur të shkosh vetëm pas check-in, është një përvojë emocionuese”, thotë Ramaška. “Unë mendoj se këto shfaqje do të lënë një përshtypje te audienca.” Deri në 200 vetura do të jenë në gjendje të futen në zonën e shfaqjes për të ndjekur një film. Organizatorët e projektit gjithashtu janë siguruar që të gjithë do të jenë në gjendje të shohin çdo detaj të secilit film, falë ekranit më të madh në Shtetet e Baltikut, që është afërsisht madhësia e një ndërtese pesë-katëshe.
“Zbatimi i këtij projekti ishte një sfidë e këndshme për ne, duhej të rindërtonim platformën e aeroportit, që është një zonë e kufizuar, në një hapësirë të hapur për adhuruesit e filmit. Një mundësi e bukur të jesh pjesë e të gjithë procesit dhe në të njëjtën kohë të tregosh që aeroportet kombinojnë në mënyrë të përsosur aktivitetet e aviacionit me ngjarje dhe projekte të formateve të ndryshme. Unë besoj se pas filmave të përzgjedhur, do të ketë edhe më shumë fansa jo vetëm të kinemasë së mirë, por edhe aviacionit”, thotë Dainius Čiuplys, drejtuesi i Aeroportit Vilnius. Kinemaja e lëvizshme bën të lehtë ndjekjen e udhëzimeve për distancim fizik dhe masave të tjera të nevojshme të sigurisë. Biletat do të jenë në dispozicion vetëm në internet dhe vetëm makinat me maksimum dy persona do të lejohen në pistë.