Sipas Graham Medley, ekspert kryesor i qeverisë për pandemitë, kjo strategji do ta lejojë Mbretërinë e Bashkuar të dalë nga “qorrsokaku”
Teoria e imunitetit të tufës është rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar. Ose më mirë, nuk ishte braktisur kurrë, vetëm ishte “ngrirë”, duke parë rreziqet për shëndetësinë britanike që do ishte përmbytur nga “tsunami” i të prekurve koronavirusi dhe të atyre që do të ishin në terapi intensive dhe do të kishin nevojë për kura speciale. Por tani kjo ide është sërish në tavolinën e qeverisë, siç deklaroi disa javë më parë, Sir Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i Boris Johnson. Këtë herë është profesor Graham Medley, eksperti kryesor i pandemive i qeverisë britanike, që për “Times” lë të kuptohet se cilat mund të jenë strategjitë e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Fjalë të rëndësishme, aq sa hapin faqen kryesore të së përditshmes britanike. Prof. Medley mbështet idenë se “Mbretëria e Bashkuar po hyn në një qorrsokak” me masat drakoniane të vendosura për të përmbajtur përhapjen e virusit, masa që i ka ndërmarrë edhe Italia, Spanja, gjithashtu dhe Franca.
“Izolimi i vazhdueshëm”, shpjegon Medley, “rrezikon të provokojë më shumë dëme sesa vetë virusi”, siç janë shpërthimi i “dhunës në familje, sëmundje të rënda mendore si pasojë e mbylljes në shtëpi dhe papunësi kronike”.
Medley pranon që për të kontrolluar pandeminë dhe për të mbajtur të ulët nivelin e përhapjes deri në një farë pike “mbyllja e gjithçkaje” është e vetmja zgjidhje e mundshme. Por në të njëjtën kohë, profesori nuk beson që këto masa mund të aplikohen për një kohë gjatë, sepse mund të shkaktojnë edhe më shumë dëme. Ja pse Medley thotë për “Times” se Mbretëria e Bashkuar “po përfundon në një pikë qorre” dhe se “duhet rikonsideruar strategjia e imunitetit të tufës”, pra që “personat të infektohen nga koronavirusi në mënyrën më pak fatale të mundshme”, ndoshta në verë, kur shëndetësia britanike do të jetë më pak nën presion.
Ishte 13 marsi i kaluar kur Sir Patrick Vallance, këshilltari kryesor shkencor i qeverisë së Johnson deklaroi se “60% e britanikëve duhet të preken nga virusi për të zhvilluar imunitetin e tufës, kjo do të ishte e rëndësishme për të mbajtur nën kontroll sëmundjen sa më gjatë”. Në fakt sipas profesor Medley tani ky prag duhet rritur në 70%, bazuar në studimet e reja shkencore.
Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Oksford, 50% e banorëve në Mbretërinë e Bashkuar e kanë hasur ose tejkaluar koronavirusin.
Pas deklaratave në mars të Vallance, polemikat ishin aq të shuma, sa qeveria u detyrua ta përgënjeshtronte zyrtarisht: “Imuniteti i tufës nuk është objektivi jonë”. Por të gjithë Downing Street dhe Whitehall, nuk e kanë braktisur kurrë këtë strategji.
Sepse për momentin është e vetmja mënyrë për të evituar një tjetër pik dimrin e ardhshëm, kur në teori Brexit do të jetë kompletuar në mënyrë përfundimtare. Për një vaksinë anti Covid-19 do të duhet të paktën një vit. Si minimum. /La Repubblica/American Eye