Bursat europiane shkuan sërish në pikiatë të premten, ndërsa rasti i parë më Covid-19 në Afrikën sub-sahariane shtoi frikën se koronavirusi mund të dëmtojë ekonominë globale.
Indeksi FTSE në Britaninë e Madhe ra me 3.3 për qind, ndërsa DAX i Gjermanisë me 3.2, çka shtoi edhe më tej dhimbjen pas javës më të keqe që prej 2008-tës.
Dow Jones në SHBA përjetoi rënien më të madhe në histori, prej 4.4 për qind. Indeksi i Tokios u tkurr me 3.7% ndërsa në Shangai dhe Hong Kong u regjistruan humbje prej mbi 2.5%.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha së enjten se bota është në një pikë vendimtare të betejës kundër Covid-19. Të gjitha vendet sipas saj, duhet të jenë gati.
Sipas OBSH, koronavirusi ka vrarë 54 persona në 44 vende jashtë Kinës dhe ka ende potencialin e një pandemie. Franca ka përjetuar gjithashtu rritje të konsiderueshme të rasteve nga 18 në 38. Irlanda e Veriut konfirmoi rastin e parë duke çuar në 16 totalin në të gjithë Britaninë.
Shtetet e Bashkuara raportojnë 60 raste me Covid-19. Vatra më e madhe jashtë Kinës mbetët Koreja e Jugut me 2337 raste ndërsa bilanci global është 83 mijë të prekur dhe rreth 2800 të vdekur.