Kryesore Koronavirusi, Meta: Jemi seriozisht të ekspozuar, të merren masat më të forta

Koronavirusi, Meta: Jemi seriozisht të ekspozuar, të merren masat më të forta

Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria është seriozisht e ekspozuar ndaj koronavirusit dhe duhet të marrë masa për ta parandaluar. Ndryshe nga sa deklaroi pak orë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, që thanë se vendi ynë është ende në shkallën rreziku të ulët, Presidenti i bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse të tregojnë kujdes maksimal.

“Mendoj se është koha për të marrë masat më të forta. Shqipëria ka eksperiencë në raste të tilla, siç është parandalimi i SARS-it”, tha Presidenti në një prononcim për mediat.

Mendoj se rastet në Itali dhe ndoshta një rast në një vend tjetër fqinj, e tregojnë qartë se jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht depërtimin e këtij virusi në vendin tonë. i kemi të gjitha mundësitë, në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjësi maksimale”.

Deri tani Italia ka konfirmuar dy rastet e para të personave të infektuar me virusin kinez që mendohet se u përhap nga qyteti Wuhan, ndërsa 2 rastet e para janë konfirmuar në Britaninë e Madhe. 5 persona të infektuar janë raportuar në Gjermani, të gjithë kolegë në një ndërmarrje, të infektuar nga një kolege e tyre kineze.

Të enjten, OBSH shpalli emergjencën globale pasi virusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi edhe jashtë Kinës. Ndërkohë numri i viktimave i ka kaluar 200 persona. Ai i të prekurve ka shkuar në rreth 10.000, ndërsa raste të infektuarish ka në disa shtete të ndryshme.