Kryesore Koronavirusi, Meta: Të aplikojmë masat e “Zonës së Kuqe”, si ato në...

Koronavirusi, Meta: Të aplikojmë masat e “Zonës së Kuqe”, si ato në Itali

Presidenti Ilir Meta bën thirrje për shtimin urgjent të masave paraprake parandaluese për mospërhapjen e koronavirusit në Shqipëri.

Sipas Kreut të Shtetit, duke qenë se virusi i ri po vijon përhapjen në Itali dhe Greqi, dy vendet me të cilat kemi “shkëmbimet më intensive”, situata “imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24”.

Apeli i Presidentit:

Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e coronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta.

Në 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëhere Italia kishte vetëm 2 të prekur nga coronavirusi.

Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje.

Duke vlerësuar:

– këtë situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale;

– faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “Zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese;

–  rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi;

– shfaqjen e rasteve të coronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin te paprekura;

– në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet;

Apeloj:

Është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike;

Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24;

Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjekësor të mobilizuar për përballimin e situatës;

Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjienës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv.