Kryesore Koronavirusi/ Modeli kinez funksionoi: Vetëm 36 raste të reja në Wuhan

Koronavirusi/ Modeli kinez funksionoi: Vetëm 36 raste të reja në Wuhan

Kina po raporton gjithmonë e më pak raste të koronavirusit, edhe pse sëmundja u përhap prej andej. Mos ndoshta modeli kinez funksionon?

Nga Guido Santevecchi*

A mund të merret Kina si model për t’iu përgjigjur epidemisë? Në dhjetor, autoritetet e nënvlerësuan, më pas e censuruan. Por mbetet fakti se që nga 23 janari, Kina ka ngritur një karantinë eksperimentale në përmasa të pashembullta. Pekini ka ndalur ekonominë dhe aktivitetet shoqërore në mbarë vendin. Që ditën e parë të shpalljes së emergjencës, në Hubei dhe Wuhan u mbyllën aeroportet, trenat, fabrikat, zyrat, shkollat. Pjesa tjetër e Kinës ndaloi udhëtimet e brendshme. Sepse në Kinë nuk bëhen thirrje për t’u treguar të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm. Në Kinë jepen urdhra për t’u mbyllur në shtëpi në pritje të çdo vendimi të mëtejshëm. Në Kinë, kampionati i futbollit, që kushton qindra miliona euro me lojtarë të shtrenjtë të huaj, u pezullua brenda natës: askush nuk guxonte të ankohej. Dhe sërish, kjo mungesë diskutimi për çështjen, për shkak të sistemit autoritar kinez, duhet marrë si model.

Në Pekin, i cili është thuajse i izoluar dhe i mbrojtur nga kërcënimi, sot janë në karantinë paraprake 827 mijë njerëz. Për ata që kthehen në kryeqytet, tani që kufizimet janë lehtësuar, por kontrollet mbeten, duhet plotësuar një formular me vendin e origjinës, vendbanimin, angazhimin për të mos dalë për 14 ditë dhe komunikimi i temperaturës sipas kërkesës. Kjo vlen për të huajt dhe kinezët, nuk ka diskriminim, sepse Kina e di se kur epidemia të mposhtet, i duhet të marrë sërish sipërmarrës, teknikë, mësues nga bota e globalizuar.

Në Wuhan, prej më shumë se një muaji, popullsia nuk mund të dalë nga shtëpia: blerja e ushqimit bëhet përmes porosive në internet dhe autoritetet kanë organizuar një sistem dërgimi në dyert e banesave, për të kufizuar kontaktet sa më shumë të jetë e mundur. Asnjë radhë dhe asnjë shpenzim i ekzagjeruar në supermarkee. Ne, mes polemikave dhe mospërputhjeve, po ecim sipas modelit kinez. Kjo për shkak se atje ku nisi, po funksionon për të kufizuar epideminë. Sot, për të dytën ditë me radhë, nuk ka raste të reja të brendshme në Kinë, kurse në Wuhan, një qytet me 11 milionë banorë, ka 36 të infektuar. Autoritetet po publikojnë imazhet e spitaleve të përdorura për emergjencën, të cilat po mbyllen: 11 nga 14 spitale nuk janë më të nevojshme. Wuhan dhe më pas Hubei ishin mbyllur totalisht më 23 janar dhe për ditë e javë të tëra kishin qindra të vdekur dhe mijëra të infektuar. Tani jo më.

Karantina për të paktën 60 milionë njerëz në Hubei, ndalimi i lëvizjeve dhe punës për qindra miliona kinezë ka pasur kosto të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale. Ekziston zhgënjimi dhe zemërimi në Kinë: zëvendëskryeministri Sun Chunlan u prit me protesta në Wuhan nga njerëzit, që e shihnin nga godinat e bllokuara dhe thërrisnin: ‘falsitet, falsitet, autoritetet vetëm gënjejnë’. Ngjarja u vu nën kontroll nga censura, e cila urdhëroi shtypin që të kalonte fajin te zyrtarët lokalë, ‘që ishin të paaftë për të menaxhuar furnizimin ushqimor për njerëzit në karantinë, ashtu siç kishte urdhëruar qeveria qendrore’.

Pushteti qendror duhet të mbrohet nga pakënaqësia. Regjimi mori menjëherë masa për të izoluar virusin politik: Xinhua shkroi një artikull me lavde për presidentin, shokun Xi Jinping, ‘i cili ka zemrën e pastër si të një fëmije dhe i vendos njerëzit në qendër të prioriteteve të tij’. Në Wuhan u urdhërua që të niste një fushatë mirënjohjeje ndaj partisë dhe udhëheqësve të saj. Përpjekja për të rishkruar historinë është e qartë: nga e pandehur, Kina tashmë duket si mësuese; Xi prezantohet si burrë shteti që shpëtoi vendin e tij nga katastrofa shëndetësore dhe fitoi kohë për pjesën tjetër të botës. Në vizionin kinez, tani i takon pjesës tjetër të botës që ta përdorë sa më mirë përvojën dhe mësimet kineze.

Pekini ndaloi vendin për të ndaluar epideminë. Për të ndaluar vendin, partia-shtet premtoi se ekonomia nuk do të vdesë në tavolinë e operacionit. Si është e mundur t’iu japësh këtë siguri miliona sipërmarrësve dhe qindra-miliona punëtorëve? E thjeshtë: Pekini nuk ka turp që të njoftojë njerëzit se dora e shtetit do të përballojë shpenzimet e krizës dhe rimëkëmbjes. Edhe ne do e kishim këtë burim: Bashkimin Europian, i cili nuk duhet të kufizohet kur Roma kërkon të shpenzojë 7.5 miliardë euro. Unioni, me bankën e tij qendrore, duhet të sinjalizojë tregjet se Italia dhe vendet e tjera të sulmuara nga koronavirusi do të mbështeten pa hezimi dhe se ka një dorë europianë që do të shmangë përhapjen e sulmit ndaj Italisë duke luftuar virusin.

Do të duhet kohë derisa shkencëtarët, virologët, epidemiologët, politikanët, studiuesit, ekonomistët, të analizojnë origjinën dhe zgjidhjen (shpresojmë) të kësaj krize. Tani thjesht duhet të vendosim nëse masat kineze janë një model për t’u ndjekur. Dhe nëse përgjigjia është konfirmuese (siç duket në të vërtetë), duhet të pranojmë dhe kontrollojmë karantinën, udhëtimet duhen ndaluar menjëherë, shkollat duhet të ngelen të mbyllura dhe sistemet alternative mësimore duhen aktivizuar. Megjithatë, duhet të kujtojmë se ‘modeli kinez’ duhet të testohet në zjarr: rifillimi i aktiviteteve të përditshme në Pekin dhe mbase në Hubei. Kur të hapen zyrat, fabrikat dhe shkollat, udhëtarët do mblidhen sërish nëpër autobusë dhe metro. Çfarë do bëjë koronavirusi atëherë?

*Corriere Della Sera