Koronavirusi mund të mposhtet brenda muajit qershor, nëse të gjitha vendet bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe mësojnë nga përvoja fatkeqe e pandemisë që goditi Kinën.
Ky është mesazhi i përcjellë nga një ekspert kinez, që konfirmoi se vendi i tij ka kaluar fazën më të rëndë dhe tashmë po ecën ngadalë drejt normalizimit të situatës.
Rreth dy e treta e të infektuarve me koronavirus është regjistruar në Kinë, në provincën qendrore të Hubeit, ku virusi u shfaq për herë të parë në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Por, në javët e fundit pjesa më e madhe e infektimeve të reja janë të regjistruara jashtë Kinës.
Autoritetet kineze ja faturojnë suksesin në luftën kundër virusit masave të forta ngujimi të detyrueshëm për qytetarët në Hubei që ndërmorën. Kjo, sipas tyre, parandaloi përhapjen e virusit në qytetet e tjera dhe ftojnë vendet e tjera që të mësojnë nga përvoja e tyre.
“Më e keqja ka kaluar për ne. Rastet e reja me të infektuar kanë rënë dhe përveç Uhanit nuk raportohet në asnjë vend tjetër të Kinës”, deklaroi Mi Feng, pjesë e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë në Kinë.
Zhong Nanxhan, këshilltar i qeverisë për shëndetësinë u tha gazetarëve se përsa kohë vendet e tjera e marrin seriozisht shpërthimin e pandemisë, virusi mund të mposhtet brenda pak muajve.
“Këshilla ime është që të gjitha vendet të ndjekin udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të ndërhyjnë jo me masa lokale, por me masa kombëtare. Nëse të gjitha vendet mobilizohen që ta bëjnë këtë, virusi mund të mposhtet brenda muajit qershor”, tha ai.
Të njëjtin besim shprehu edhe Presidenti kinez, Xi Jinping gjatë një bisede me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
“Kina ua doli mbanë që të vendosë nën kontroll pandeminë pas punës së lodhshme. Jam besimplotë se populli kinez do ta tejkalojë shumë shpejt këtë situatë dhe do të realizojë objektivat ekonomikë dhe socialë që i ka vendosur vetes”, tha ai.
Lajmi i dyfishtë i mirë është dhënë nga epidemiologu, Zhong Nanshan, 83 vjeç. Ai është i famshëm për punën dhe rolin vendimtar në frenimin e epidemisë së SARS-it në 2003. Për koronavirusin e ri thotë është optimist se ngrohja e motit në mos do ta zhdukë, të paktën do ta zbusë.
“Viruset e familjes korona zakonisht janë më pak aktivë e më pak agresivë gjatë motit të ngrohtë. Rritja e temperaturave i bën më të paqëndrueshëm”, thotë ai, por duke kërkuar që të mos hiqet këmba nga pedalja e masave të përforcuara. “Parashikimi im për në qershor bazohet në skenarin sikur të gjitha vendet të marrin masat e nevojshme”, shtoi ai.
Zhong dhe ekipit të tij të ekspertëve iu kërkua nga ndarja e përvojës nga ekspertët e Harvard University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vetë po përballet me virusin në fjalë, pas raportimeve për një rritje të fortë të numrit të personave të infektuar.