Komiteti Olimpik Kombëtar Italian (CONI) ka vendosur që të pezullojë të gjitha aktivitetet sportive në Itali deri në 3 prill.
CONI ka kërkuar nga qeveria që të nxjerrë një dekret për këtë gjë.
Në komunikatë, CONI sqaron se ky vendim nuk ndikon kompeticionet ndërkombëtare, si për klube, ashtu edhe për kombëtare, pasi ato nuk janë në juridiksionin e komitetit dhe rrjedhimisht nuk mund të ndikohen nga ky vendim.
Ndërsa ndeshjet e kampionatit francez do të luhen me dyer të mbyllura ose me një sasi të kufizuar tifozësh (deri në 1000 të tillë) deri në datën 15 prill.
Ministrja e Sportit, Roxana Maracineanu, e dha lajmin pas një mbledhjeje ditën e hënë që u mbajt për diskutimin e planit të masave për të ndalur përhapjen e koronavirusit.
Të shtunën u shty ndeshja PSG-Strasbourg, ndërkohë që PSG do të luajë me dyer të mbyllura edhe ndeshjen ndaj Borussia Dortmund, e vlefshme për Champions League.
Franca ka 1116 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërkohë që 19 persona kanë humbur jetën.