Një grua që kishte vizituar veriun e Italisë është diagnostikuar me koronavirusin Covid-19 në Barcelonë. Lajmin e konfirmon Departamenti i Shëndetit në qytetit. Në total ky është rasti i katërt në Spanjë, por i pari i një shtetasi spanjoll, pasi dy personave të infektuar në Ishujt Kanarie dhe një në Majorka ishin të gjithë të huaj.
Rasti i parë i një personi të infektuar me koronavirus është regjistruar edhe në Zvicër, në kantonin Tiçino, krahina italishtfolëse në vend. Sipas Zyrës Federale të Shëndetësisë, pacienti është shtruar në spitalin e Tiçinos.
Edhe Kroacia ka konfirmuar rastin e parë me koronavirus. Lajmin e bëri të ditur kryeministri, Andrej Plenkoviç, i cili saktësoi se i infektuari është një mashkull në moshë të re. Ai është i shtruar në një spital të Zagrebit në gjendje të qëndrueshme. Ndërkaq në qytetin Bullgar të Burgas, 2 persona po mbahen në izolim pasi dyshohet se mund të jenë prekur nga koronavirusi. Bëhet fjalë një 40-vjeçar dhe një studente 20-vjeçare, të dy të sapokthyer nga Milano.
Ndërkohë në Itali, vendin më të prekur në Europë, numri i të infektuarve ka arritur në 314, ndërsa viktimat janë 11.
Pas një mbledhje për koordinimin e emergjencës në pallatin “Chigi”, Kryeministri Giuseppe Conte tha se mosndjekja e protokollit në spital në zonat e rrezikuara, ka ndikuar në daljen e situatës jashtë kontrollit dhe përhapjen e virusit. Një sërë kufizimesh që prekin rreth 100 mijë njerëz janë njoftuar në pjesë të Lombardisë dhe Venetos përfshirë kryeqytetet e këtyre rajoneve Milano dhe Venecia. Autoritetet kanë mbyllur shkollat, universitetet, muzetë dhe kanë ndaluar grumbullimet publike rreth veriut të Italisë. Megjithatë, Kryeministri Conte theksoi se Italia është një vend i sigurt dhe se jashtë vatrave mund të udhëtohet pa problem. Deklarata vjen mes shqetësimeve se epidemia, e përqendruar në zemrën financiare dhe industriale të Italisë, mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e brishtë të vendit, aktualisht në recesion.