Italia regjistron në 24 orët e fundit 47 viktima e 251 raste pozitive me Covid-19.
Numri i viktimave ka arritur më 34 561 e të infektuarit më 238 011.
Persona të shëruar nga Covid 19 janë deri më sot 181 907.
Persona aktiv me koronavirus janë 21 542.
Në struktura spitalore po kurohen 2632 pacientë e 161 në repartet e terapisë intensive.
Studimi: Koronavirusi ka qenë në Itali në dhjetor 2019
Ndërkohë, shkencëtarët italianë kanë zbuluar se koronavirusi Covid-19 ka qenë në Itali që në muajin Dhjetor 2019, shumë kohë përpara se të konfirmoheshin zyrtarisht rastet e para.
Sipas studiuesve, ujërat e zeza në dy qytete të mëdha të vendit përmbanin gjurmë të koronavirusit. Instituti Kombëtar italian i Shëndetit zbuloi se ujërat nëntokësor në Milano dhe Torino tregonin gjurmë të virusit që më 18 Dhjetor.
Ekspertët ekzaminuan 40 mostra të mbledhura nga impiantet e përpunimit të ujërave të zeza në Italinë veriore në periudhën Tetor 2019 – Shkurt 2020. Analizat për muajin Tetor dhe Nëntor 2019 nuk gjetën gjurmë të virusit. Shkencëtarët thonë se ky zbulim mund të ndihmojë për të kuptuar se si filloi të përhapej koronavirusi në Itali.
Ky raport shton akoma më shumë dyshimet se virusi ka qarkulluar më herët nga sa mendohej. Kina, vendi nga u përhap koronavirusi, konfirmoi rastet e para të pacientëve të infektuar në fund të Dhjetorit 2019.