Kryesore Koronavirusi në Itali: 415 të vdekur sot, por ulen rastet reja

Koronavirusi në Itali: 415 të vdekur sot, por ulen rastet reja

Ende shumë të vdekur, por të gjithë treguesit e tjerë po lëvizin në drejtimin e duhur, sidomos ulja e infektimit. Në 24 orët e fundit raportit mes rasteve të identifikuara dhe tamponëve të bërë ka zbritur në minimum që nga nisja e epidemisë: një pozitiv për 27 tamponë të bërë. 2.357 raste të reja pati sot, ndërsa janë bërë 65387 tamponë

Ky fakt tregon numri i personave të prekur po vazhdon të ulet, ashtu siç po vazhdon rënia e të shtruarve me simptoma dhe në terapitë intensive, përfshirë edhe 2.622 të shëruarit. Sot kanë rënë edhe personat në izolim shtëpiak.

Të dhënat e raportit të ri të Mbrojtjes Civile tregojnë se sot në terapitë intensive gjenden 2.102 persona, 71 më ka se dje. Janë shtruar me simptoma 21.533 persona, 535 më pak se dje. Në izolim shtëpiak janë 82.212 persona (-74 në krahasim me dje).

Në 24 orët e fundit kanë vdekur 415 persona (dje viktima ishin 420), duke arritur në një total prej 26.384 të vdekurish.

Të shëruarit kapin kuotën 63.120, me një rritje në 24 orë prej 2.622 personash (dje ishin deklaruar të shëruar 2.922 persona).

Numri total i personave që kanë kontaktuar virusin që nga fillimi i epidemisë është 195.351.