Buletini i sotëm ditor duket sikur i jep të drejtë rinisjes së jetës në Itali. Në fundjavën e parë të Fazës 2 janë ulur edhe rastet e reja, nga 1.327 në 1.083. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi është ulja e numrit të viktimave, 194 sot, ndërsa dje ishin 243.
Një tjetër boom i të shëruarve, plot katër mijë në një ditë, çka sjell zbrazjen e 802 shtretërve në spitalet Covid dhe 134 në terapitë intensive.
Më këta numra, personat aktualisht pozitivë zbresin në 84.842, 3.119 më pak se dje.
Por virusi në Itali duket se është i ndarë në dysh, 502 raste të reja ka pasur sot vetëm në Lombardi, që e vetme ka gjysmën e rasteve të reja në të gjithë Italinë, edhe pse dje ky rajon kishte 634 raste. Në të gjitha rajonet e tjera të Italisë është ulur numri i rasteve të reja.