75% e të sëmurëve në Shqipëri nga koronavirusi janë shëruar. Bëhet fjalë për 650 qytetarë nga 868 të infektuar. Aktualisht numri i rasteve aktive ka rënë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të diel se janë 187 persona aktivë me Covid-19.
Prej tyre vetëm 29 pacientë po ndiqen në spitalet Covid, ndërsa pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.
Cilat janë bashkitë më të rrezikshme?
Në njoftimin e së dielës, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se kryesisht rastet aktive janë të shpërndara në katër bashki: Tiranë, Krujë, Shkodër dhe Kamëz.
Kryeqyteti në fakt është zona me numrin më të lartë të rasteve aktive. Edhe pse që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë numri ka rënë, sërish numërohen 87 raste aktive. Më pas vjen Kruja me 58 raste, të cilat lidhen kryesisht me fasonerinë.
Shkodra vjen e treta me 16 raste, ndërsa Kamza ka 11 raste.
Megjithatë, koronavirusi vazhdon të jetë aktiv edhe në disa qytete të tjera. Sëbashku me rastin e sotëm, në Fier janë 5 qytetarë aktivë me sëmundjen. Kurbini dhe Elbasani kanë nga 3 raste aktive, ndërsa Mirdita, Berati, Durrësi dhe Korça nga 1 rast aktiv.
Më 11 Maj “fitojnë lirinë” disa bashki të tjera
Të hënën do të ketë një tjetër lirim masash. Siç është njpftuar më herët, nga nesër shtohen si zona të gjelbra bashkitë: Lushnje, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrez, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejës, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla.
Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetas brenda zonave të gjelbra me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje, deri në orën 21:00.
Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë, klinikat dentare, parukeritë, berberhanet dhe dyqanet në qendrat tregtare. Duke filluar nga data 11 Maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.
Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ftoi qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale si dhe bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.