Mjeku infeksionit Tritan Kalo, i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News 24 ka thënë se nuk ka arsye për Shqipërinë të alarmohet nga koronavirusi.
Kalo shprehet se e ka vënë re tendencën për ta izoluar këtë virus në vatër, pra në Wuhan dhe në Kinë duke anuluar udhëtimet. Në këtë mënyrë koronavirusi nuk mund të përhapet.
”Nuk ka asnjë arsye që të ketë alarm në Shqipëri. Organizata botërore e shëndetit ka shpallur emergjencën sepse është virus i ri dhe përpjekjet bëhen për ta izoluar në vatër. 117 raste janë izoluar jashtë Kinës, por tendenca është duke izoluar udhëtimet. Shumë vende e kanë bërë.
Për shkak të lëvizjes së popullatave, bota quhet një fshat i madh dhe me një avion SARS-i me një avion shkonte në Hong Kong, Australi dhe pas 12 orësh në Europë.
Duhet të izolohet brenda vatrës, dhe që mos përhapet”– tha Tritan Kalo.
Ndërsa sa për simptomat Kalo tha se një person i prekur me koronavirus dallohet që ka këtë virus pas ekzaminimeve. Për një person të dyshuar Tritan Kalo thotë se qëndron në karantinë dhe ekzaminohet me një trajtim deri në 14 ditë.
Nëse shfaq simptoma, atëherë më pas bëhet një kontroll për të bërë dallimin nëse personi i dyshuar ka grip të thjeshtë apo koronavirus.
”Deri në këtë moment ka paqartësi. Por përderisa janë shfaqur raste në distancë nga Kina atëherë është përcaktuar që transmetohet nga njeriu në njeriu.
Një mjek francez që i ka shërbyer pacientëve, e ka marrë koronavirusin. Ekziston infektimi ndërhuman. Sipas një shkalle të infektimit, 1 person i infektuar mund të infektojë jo më shumë se 2.2 të tjerë. Fruthi mund të infektojë më shumë se 8 të painfektuar.
Shenjat janë si për gripin stinor. Simptomat klinike janë të njëjta. Temperaturë, dhimbje koke. Nuk dallohet vetëm me izolimin e pacientit.
Po të shohësh me kujdes ka pacientë në të gjithë Kinën. Dhe të prekurit duhet të ndiqen me kujdes.
Trajtimi është maksimumi 14 ditë. Pra në kaq ditë të mbahen në Kinë, të observohen dhe nëse kanë simptoma si gripi mbahen, nëse nuk kanë lejohen. Por edhe nëse kanë simptoma duhet që të përcaktohen nëse ka grip të thjeshtë sezonal apo koronavirus”, tha Kalo.
Si të mbrohemi nga koronavirusi: Shmangni mjediset publike dhe kujdes me higjienën personale
Mjeku infeksionist, Tritan Kalo, këshilloi të gjithë qytetarët shqiptarë të bëjnë kujdes nga gripi, pasi sipas tij, koronavirusi është një lloj gripi.
“Të ajrosen mirë, të evitojnë mjediset publike, të mos shkojnë në shkolla e çerdhe, nëse kanë simptoma, sepse janë burim përhapjeje. Në Shqipëri nuk ka asnjë të prekur me koronavirus, nuk kemi pse të shpikim iluzionin sikur ka”, tha mjeku Kalo.
Derisa të arrihet te vaksina, ka një kurë?
Po, po punohet. Kemi mbi 170 individë të prekur nga virusi që janë shëruar plotësisht. Në 100 të prekur, vetëm dy kanë pasur ecuri fatale. Pra, jo të gjithë rrezikojnë. Në kufirin më të afërt me Shqipërinë që kemi të sëmurë, kemi vetëm dy në Itali.
A duhet të shqetësohemi ne?
Ne shqetësohemi, por më e mira është kur parandalohet. Unë kam folur me persona që kanë ardhur nga Kina dhe janë mbajtur 14 ditë në karantinë, duke i këshilluar.
Si duhet të mbrohemi?
Siç mbrohemi nga gripi, të mos shkojmë në vende që ka shumë njerëz. Kur kemi temperaturë, shenja gripi, të mos shkojmë në shkollë apo çerdhe, të ushqehemi mirë, e mbi të gjitha të respektojmë higjienën vetjake. Dora duhet larë shpesh, sepse është vendi kryesor që preket nga infeksionet. 40% e infeksionet vijnë nga një dorë e papastër. Duhen ushqime me vitaminë C, agrumet. Vitamina C nuk ka kufij në përdorim. Mund të merrni sa të doni.