Tregjet financiare shënuan një tjetër rënie të premten, ndërsa frika për koronavirusin dominoi shkëmbimet në bursë. Në Azi, tregjet ranë më mbi 3%, me humbje të theksuara që u regjistruan në Japoni, Korenë e Jugut e Hong Kong. Më herët, Wall Street u mbyll me një tkurrje prej 3.5%.
Lëkundja në tregje erdhi në ditën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) akuzoi disa vende për një qasje të shkujdesur ndaj epidemisë: “Jemi të shqetësuar se disa vende ose nuk e kanë marrë seriozisht situatën ose kanë vendosur se nuk kanë se çfarë të bëjnë. Jemi të shqetësuar se në disa shtete niveli i angazhimit politik dhe masat e marra nuk përputhen me nivelin e kërcënimit me të cilin përballemi. Nuk është momenti për t’u dorëzuar, nuk është koha për justifikime, është koha për të vepruar në çdo mënyrë”.
Virusi covid-19 i ka marrë jetën rreth 3300 personave në të gjithë botën dhe ka infektuar gati 97 mijë të tjerë. Italia mbetet vatra kryesore e virusit në Evropë, por edhe vendet e tjera raportojnë gjithnjë e më shumë raste. Britania e Madhe dhe Zvicra njoftuan viktimat e para nga sëmundja.
Parlamenti Evropian anuloi një seancë plenare në Strasburg për shkak të frikës nga përhapja e virusit. Një parlamentar francez u shtrua në spital të enjten, pasi dyshohet të jetë prekur nga covid-19.
Shtatë persona kanë humbur jetën në Francë, ndërsa numri i të infektuarve i ka tejkaluar 400. Situata mbetet alarmante edhe në SHBA, ku autoritetet kanë pranuar mungesë të mjeteve të testimit. Raste janë raportuar në 20 shtete dhe viktimat janë 12. Një anije kroçerë me 3500 persona në bord vazhdon të qëndrojë në brigjet e Kalifornisë, ndërsa pasagjerët po testohen për virusin.