Nga Tim Benton*
Koronavirusi i ri ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë, të shpallë emergjencë globale, pasi po përhapet me shpejtësi anembanë botës. Përhapjet e sëmundjeve të reja infektive gjithmonë shihen si shqetësim i madh, jo vetëm sepse virusi i ri është edhe më shqetësues ngaqë nuk ka ende një kurë, por edhe sepse mendohet të ketë buruar nga jeta e egër, gjë kjo që na nxjerr në pah se gjithnjë e më shumë po marrim sëmundje nga kafshët.
Natyrisht kjo nuk është faji i kafshëve por është më shumë një problem në të ardhmen pasi ndryshimi i klimës dhe globalizimi kanë ndryshuar mënyrën e bashkëveprimit të kafshëve dhe të njerëzve.
Sëmundjet që morëm nga kafshët
Në 50 vitet e kaluara, janë shpallur një mori sëmundjesh infektive që janë përhapur me shpejtësi nga kafshët tek njerëzit.
Sëmundja HIV/Aids që doli në vitin 1980 e ka origjinën nga majmunët e mëdhenj, pandemia e gripit të shpendëve nga viti 2004-2007 erdhi kryesisht nga pulat, një situatë kjo që u përsërit me derrat në vitin 2009. Gjithashtu, më vonë lakuriqët e natës na dhanë sëmundjen e SARS-it dhe Ebolan.
Njerëzit gjithmonë kanë marrë sëmundje nga kafshët e egra, por ndryshimi i mjedisit po e përshpejton këtë proces, ndërsa rritja e kafshëve të egra në qytet dhe udhëtimi ndërkombëtar i tyre janë një arsye shumë e madhe pse shfaqen këto sëmundje dhe pse po përhapen me shpejtësi.
Shumica e kafshëve të egra mbajnë një gamë të gjerë bakteresh dhe virusesh që mund të na shkaktojnë sëmundje. Mbijetesa evolucionare e viruseve varet nga infektimi i një qenie të re dhe kalimi nga kafshët tek njerëzit është një mënyrë që viruset të mbijetojnë. Sistemet imunitare të qenies së re përpiqen të shkatërrojnë patogjenët e huaj në trup dhe kështu edhe kafshët edhe njerëzit në këto raste, luajnë një lojë evolucionare duke u përpjekur të gjejnë mënyra të reja për të mposhtur njëri-tjetrin.
Për shembull, rreth 10 për qind e të infektuarve vdiqën gjatë epidemisë së SARS-it në vitin 2003, krahasuar me nën 0.1 për qind për një epidemi gripi. Ndryshimet klimaterike dhe ndryshimi i mjedisit po bën që të ndryshohet edhe habitati i kafshëve, duke ndryshuar mënyrën se si ata jetojnë, ku jetojnë, çfarë hanë dhe kush i përdor ata për konsumim.
Tashmë mënyra se si njerëzit jetojnë ka ndryshuar. Rreth 55 për qind e popullsisë globale jeton në qytete ndryshe nga 35 për qind 50 vite më parë. Tashmë në qytete sigurohen shtëpi të reja për kafshët e egra, për minjtë, rakunat, dhelprat, të cilët normalisht duhet të jetonin në hapësira të gjelbra siç janë parqet dhe kopshtet, jashtë mbetjeve që lenë njerëzit nga ushqimet që konsumojnë.
Shpesh kafshët e egra jetojnë më mirë në qytete sepse mund të gjejnë më lehtësisht ushqim, duke bërë kështu që hapësirat urbane të kthehen në vatër sëmundjesh.
Kush rrezikohet më shumë?
Më e rrezikuar është një qenie (kafshë ose njeri) që nuk mbart bakterin apo virusin, për këtë arsye sëmundjet e reja si koronavirusi janë gjithnjë e më shqetësuese. Gjithashtu, ka grupe që janë më pak imunë ndaj sëmundjeve se sa të tjerët.
Për shembull, banorët e varfër të qytetit kanë më shumë të ngjarë të punojnë me pastrimet dhe kanalizimet, duke pasur më shumë shanse për t’u hasur me viruset dhe për të qenë mbartës të sëmundjeve. Ata gjithashtu mund të kenë sisteme më të dobëta imune për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm dhe ekspozimit të kushteve jo higjienike. Nëse ata sëmuren mund të mos jenë në gjendje të përballojnë kujdesin mjekësor dhe kështu sëmundja kalon nga një njeri tek tjetri.
Infeksionet e reja gjithashtu mund të përhapen me shpejtësi në qytetet e mëdha, pasi janë shumë të populluara. Disa kultura si Kina, e përdorin edhe mishin e kafshëve të egra për konsumin e tyre të përditshëm dhe kjo ndikon në përhapjen e sëmundjeve të tilla si koronavirusi.
Si i ndryshojnë sëmundjet sjelljet e njerëzve?
Vendet që ndërmarrin hapa për të frenuar shpërthimin e virusit, është e dukshme që kanë pasoja të mëdha ekonomike. Edhe pse janë ndaluar udhëtimet njerëzit kanë frikë të veprojnë në rast se kapin virusin, duke ndryshuar sjelljen e tyre. Për shembull në vitin 2003, epidemia e SARS-it i kushtoi ekonomisë globale rreth 40 miliardë dollarë vetëm për gjashtë muaj. Kjo ishte pjesërisht për shkak të kostos së trajtimit të njerëzve, por edhe fundosje në aktivitetin ekonomik sepse njerëzit nuk udhëtonin.
Çfarë mund të bëjmë?
Shoqëritë dhe qeveritë kanë tendencë ta trajtojnë çdo sëmundje të re infektive si një krizë të pavarur për secilin vend, por kjo nuk është mënyra e duhur, pasi sa më shumë të ndryshojmë mjedisin, aq më shumë gjasa kemi të prishim ekosistemet, duke i dhënë mundësi kështu sëmundjeve të shfaqen. Vetëm rreth 10% e patogjenëve në botë janë dokumentuar, kështu që nevojiten më shumë burime për të identifikuar pjesën tjetër dhe cilat kafshë i mbajnë ato. Një studim i duhur do të ishte për shembull “sa minj ka në Londër dhe çfarë sëmundjesh përmbajnë?”. Kjo do të ishte një kosto e madhe, por kostoja e parandalimit nuk krahasohet me koston e trajtimit. Shumë banorë të qytetit duan të mbajnë kafshë të egra në qytet, por gjithashtu duhet të njohim që disa kafshë mbajnë viruse të dëmshme. Gjithashtu, përmirësimi i kanalizimeve, deponimi i mbeturinave dhe kontrolli i dëmtuesve janë mënyra për të ndihmuar në ndalimin e shfaqjes dhe përhapjes së këtyre viruseve.
Pandemitë janë pjesë e së ardhmes sonë
Pranimi i sëmundjeve të reja që po shfaqen dhe përhapen në këtë mënyrë na vë në një pozitë më të fortë për të luftuar pandemitë e reja, të cilat janë një pjesë e pashmangshme e së ardhmes sonë. Një shekull më parë, pandemia e gripit spanjoll infektoi rreth gjysmë miliard njerëz dhe vrau 50-100 milionë njerëz në të gjithë botën. Përparimi shkencor dhe investimet e mëdha në shëndetin global do të thotë se një sëmundje e tillë do të menaxhohet më mirë në të ardhmen. Sidoqoftë, rreziku mbetet real dhe potencialisht katastrofik, nëse diçka e ngjashme do të ndodhte përsëri. Nga mesi i shekullit të kaluar, disa vende të perëndimit pretendonin se sëmundjet infektive ishin të menaxhueshme, por ndërsa urbanizimi dhe pabarazia rriten dhe ndryshimi i klimës i dëmton më shumë ekosistemet tona. Ne duhet të njohim sëmundjet në zhvillim, si një rrezik në rritje.
*Tim Benton është drejtor hulumtues i ekipit që monitoron rrezikun e viruseve të reja në institutin Chatham House, ku ai drejton programin e Energjisë, Mjedisit dhe Burimeve. Chatham House, Instituti i çështjeve ndërkombëtare në Mbretërinë e Bashkuar. Një institut që ndihmon në ndërtimin e një bote të qëndrueshme të sigurt, të prosperuar dhe të drejtë.