Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat, ku u shpreh se secili duhet të kontribuojnë në luftën kundër koronavirusit.
“Secili duhet të kontribuojë në një luftë, që sot është një luftë botërore, përballë një virusi të panjohur. Pra, dëshiroj t’ua përcjellë të gjithë mesazhin se thirrja për të kufizuar kontaktet fizike, nuk është një predikim në ajër, por buron nga këshilla numër një e OBSH-së. Vendosëm të mbyllim shkollat, kopshtet, universitetet, jo për t’iu dhënë vajzave dhe djemve tanë dy javë pushim për t’u mbledhur në disko, si në kohë të zakonshme, sepse kjo është një kohë lufte, të cilën bota duhet ta fitojmë, ne do ta fitojmë”, tha Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se rastet e konstatuara janë të importuara nga Italia.
“Siç e dini, numri i të prekurve është rritur. Duhet ditur se tetë prej tyre janë vazhdë e një kontakti. Babai, djali dhe pastaj me radhë gjashtë të tjerë. Janë kontakte të afërta, por jo aq sa muret e shtëpisë.
Të gjitha rastet janë kontakte të importuara nga Italia. Ishte e pashmangshme që ne të mos përballeshim me këtë duke patur kaq shumë kontakte me Italinë. Ishte e pamundur që ne të ndërtonim skenarët e një vendi fqinj me në zonë që tani është e tëra e kuqe. Skenarët janë ndërtuar sipas fazave dhe për t’iu përgjigjur dinamikës së virusit”, tha Rama.