Dy anije të Marinës Amerikane, “USNS Comfort” dhe “USNS Mercy”, do të shndërrohen në spitale, në një nismë të ndërmarrë për të ndihmuar përballimin e krizës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Secila nga anijet do të ketë 1000 shtretër, por sipas raportimeve paraprake në to do të vendosen pacientë që nuk janë të prekur nga koronavirusi, por sëmundje të tjera, në mënyrë që në spitale të lirohet vend për të infektuarit me Covid-19.
Anija “Comfort” që do të ankorohet në qytetin e Nju Jorkt, është përdorur edhe më parë aty, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ku ndihmoi në dhënien e ndihmës mjekësore për të plagosurit në kullat binjake. Më pas ajo u përdor si strehë për rreth 10 mijë punëtorë të skuadrave të shpëtimit.
Është ende e paqartë se ku do të ankorohet anija tjetër “Mercy”, por sipas Presidentit Donald Trump me shumë mundësi do të shkojë në San Diego në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara.
Me rritjen e numrit të rasteve me koronavirus në shtetin e Nju Jorkut (mbi 2300 deri tani) frika për një mbyllje totale është e madhe, edhe pse Guvernatori Andrew Cuomo tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhte.