Ajo që do të lexoni më poshtë janë intervistat e disa prej mjekëve që po luftojnë kundër COVID-19. Ata përshkruajnë qartë sesa dramatike është situata në zonat që janë prekur më rëndë.
Për kushtet e vështira të punës në të cilat gjendet stafi mjekësor është folur edhe më parë në programin PiazzaPulita, të cilët kishin xhiruar në ambientet e brendshme të spitalit të Kremonës.
Pikërisht ashtu si këto intervista, të botuara dhe në disa prej gazetave kryesore italianë, ato pamje jepnin një ide të qartë të gjendjes së rënduar të epidemisë për sa i përket stresit të ushtruar mbi stafin spitalor në zonat më të prekura.
Historia e parë: Është si tërmeti, nuk duket sikur ka fund
Roberto Cosentini, nga Milano, 60 vjeç, prej afro dy javësh gjendet së bashku me 26 mjek dhe infermierë të ekipit të tij dhe nuk i janë larguar asnjë moment spitalit “Papa Xhovani XXIII” në Bergamo. “Tani vijnë në spital rreth 60-80 persona të infektuar në ditë. Gjithmonë e më shumë, por veçanërisht të gjithë njëkohësisht, të gjithë të sëmurë rëndë, e të gjitha moshave të cilët përpara se të sëmureshin ishin shëndosh e mirë. Nëse kjo valë e re nuk fillon të bjerë, sistemi shëndetësor do të shkojë drejt kolapsit: e shkaktuar nga ajo që mund ta krahasojmë me një katastrofë natyrore,”.
“Gjatë një pneumonie të zakonshme, pacientëve ju bie temperatura për 3-4 ditë, ndërsa tek ata që janë të infektuar me coronavirus ndodh mesatarisht pas 8 deri në 10 ditësh”.
Historia e dytë: në spital jemi si në gjendje lufte
Christian Salaroli, anestezist në sallën e reanimacionit, dha një intervistë për Corrieren që bëri bujë në gjithë Italinë. “Vendimi merret në varësi të moshës dhe gjendjes shëndetësore. Si në gjithë situatat e luftës. Nuk e them unë, por udhëzuesit që kemi studiuar”.
“Kjo dyndja nga COVID-19 vjen për shkak të një forme pneumonie tepër agresive që ndikon shumë tek niveli i oksigjenit në gjak. Pacientët që sëmuren më rëndë kanë insuficiencë oksigjeni në organizëm”.
“Momenti që të duhet të zgjedhësh vjen menjëherë pas kësaj. Jemi të detyruar ta bëjmë. Fatkeqësisht për shkak të mungesës së burimeve spitalore, shtretërve në pavijonin e terapisë intensive dhe të sëmurëve që ndodhen në gjendje kritike, nuk mund të intubohen të gjithë.
Në atë pikë “është e nevojshme që të ventilohen në mënyrë mekanike. Ata që përzgjidhen ju vihet menjëherë tubi dhe vendosen përmbys, sepse kjo manovër mund të favorizojë ajrosjen e pjesës së poshtme të mushkërive.” Vlerësohen me shumë vëmendje pacientët me patologji kardiorespiratore dhe personat me probleme të rënda me zemrën sepse ata nuk përballojnë dot nivelin e ulët të oksigjenit në gjak dhe kanë pak shanse për të mbijetuar gjatë fazës kritike.
“Nëse një person midis moshës 80 dhe 95 vjeç ka insuficiencë të madhe respiratorë, ka shumë gjasë që të mos ndërhyjmë, pasi ka një vdekshmëri 100 për qind. Ka mbaruar tashmë.”
“Kjo është një frazë e tmerrshme por fatkeqësisht e vërtetë. Nuk jemi në gjendje që të tentojmë me ata që quhen si ndryshe quhen mrekulli mjekësore. Ky është realiteti”.
Historia e tretë: Krematoriumi që punon 24 orë në 24 në Bergamo
Në Bergamo, provinca e goditur më rëndë e Italisë me 1,815 raste dhe 142 viktima, Corriera della Sera shkruan se kisha Ognissanti, brenda një varreze, është kthyer në një dhomë të madhe mortore.
Deri të enjten e shkuar, krematoriumi, i vetmi në këtë provincë, punonte ende sipas ritmit të zakonshëm. Por këto ditë, Komuna i ka dhënë urdhër kompanisë që menaxhon që shërbimi të funksionojë 24 orë.
Por as kështu nuk janë në të njëjtin hap me shpejtësinë e vdekshmërisë së virusit. Në Bergamo u shënuan 156 viktima në harkun kohor të 5 ditëve.
Pacientët që vdesin të vetëm pas thirrjes së fundit me video me të afërmit e tyre
“Pacientët e COVID-19 hyjnë të vetëm në spital, asnjë i afërm nuk mund t’iu qëndrojë pranë dhe kur janë duke u larguar nga kjo jetë e nuhasin. Janë të kthjellët, është sikur të jenë duke u mbytur në det por me gjithë kohën e nevojshme për ta kuptuar që kjo po ndodh. E fundit ishte sonte. Ishte një gjyshe që kërkonte të shihte nipin. Nxora telefonin dhe i lidha përmes një thirrje me video. U përshëndetën, pak më vonë ajo u nda nga jeta. Tani kam një listë të gjatë thirrjesh të këtilla. Unë e quaj lista e lamtumirës. Shpresoj të na pajisin me disa iPad të vegjël, do të mjaftonin 3 ose 4, që të mos i lëmë vdesin vetëm”.
Mjeku i reanimacionit Stefano Muttini, thotë “Kam përshtypjen se kam përfunduar në një cunami që sado që ta luftosh nuk do arrish dot ta ndalosh kurrë. Problemi kryesor është gjetja e vendeve të reja. Pavijoni im i reanimacionit kishte 8 shtretër, më pas ia dola të shtoj 7 e më pas edhe 8 të tjerë dhe në fund 16, duke arritur 31 shtretër gjithsej. Të dielën në mëngjes isha aq i lumtur që kisha gjetur 6 vende të reja por erdhi mesdita dhe pashë që ishin zënë të gjithë. Për një çast u ndjeva i sikur kisha humbur, se isha i paaftë.”