Policia në Korçë ka arrestuar një pedagog dhe një sekser të dyshuar për korrupsion. Në pranga ka përfunduar pedagogu i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane në Universitetin “Fan Noli”, Alket Dino.
Si pjesë e këtij operacioni është arrestuar dhe Xhevi Dervishi pasi dyshohet se ka luajtur rolin e ndërmjetësit. Sipas policisë. Dino ka përfituar shuma monetare në këmbim të dhënies së provimeve për studentët.
Arrestimi i Dinos dhe Dervishit është bërë nga Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK.
Prangosja e tyre është bërë në kushtet e flagrancës pasi janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.