Katër zyrtarë të Kadastrës së Sarandës janë arrestuar nga policia gjatë një hetimi 1-vjeçar të koduar “Heshtja 2”.
Në pranga kanë rënë Andri Dhima 34 vjeç ish-drejtor i Kadastrës Sarandë, Vasil Lango 37 vjeç përgjegjës i sektorit të hartografisë, Saimir Braho 32 vjeç hartograf dhe Erliton Ymeri 37 vjeç hartograf në këtë institucion.
Ndërsa në kërkim është shpallur Kozata Statha, ish-drejtoreshë e Kadastrës Sarandë, e cila është banuese në Bolonja të Italisë.
Ata akuzohet për shpërdorim detyre pasi në mënyrë të kundërligjshme kanë pajisur disa persona me certifikata pronësie për toka dhe prona në zonat bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit.
Hetimi i këtij rasti është bërë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në vitin 2021, dhe në bazë të kallëzimit penal të ardhur nga Drejtoria e Antikorrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2022.
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.