Aktualitet Në kërkim për plagosje dhe drogë, një shqiptar arrestohet në Emiratet e...

Në kërkim për plagosje dhe drogë, një shqiptar arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, tjetri në Belgjikë

Dy shqiptarë të shpallur në kërkim, njëri për plagosje dhe tjetri për drogë, janë arrestuar sot përkatësisht në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Belgjikë, ndërsa vijojnë procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.

Sipas Policisë në “Emiratet e Bashkuara Arabe, u arrestua shtetasi Hajdar Bako alias Hajdar Copja alias Hajdar Hysa, 40 vjeç, i lindur në Elbasan, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri, ky shtetas, së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit, është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 shtetas”.

Ndërsa në Belgjikë u arrestua 39-vjeçari nga Fieri. “U kap në Belgjikë, shtetasi A. G., 39 vjeç, pasi Gjykata e Fierit, më datë 15.10.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Më datë 15.07.2021, gjatë kontrollit në tokën në pronësi të 39-vjeçarit, në zonën Grizë Lenginas, Fier, u gjetën të mbjella bimë narkotike cannabis sativa”.

Arrestimi u krye falë sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të shtetit shqiptar, dhe shkëmbimit të këtij informacioni, nëpërmjet zyrave homologe të Interpolit.