Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan nëpër sheshin “Nëna Terezë” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”.
Parakalimin e pjesëtarëve të FSK-së e përcollën qytetarë të shumtë, krerët e shtetit të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentari i Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferri, drejtues institucionesh të vendit, deputetë, përfaqësues të misioneve diplomatike nga shtete të ndryshme, ambasadorë dhe mysafirë të tjerë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se sot kemi një ushtri profesionale, e cila është në shërbim dhe mbrojtje të shtetit më të ri në Evropë, e gatshme për të kontribuar për paqe në rajon dhe botë.
Thaçi në ceremoninë e parakalimit të FSK-së, ka thënë pjesëtarëve të FSK-së se janë krenaria e Kosovës.
“Para nesh kemi një ushtri profesionale, e cila është në shërbim dhe mbrojtje të shtetit më të ri në Evropë, e gatshme për të kontribuar për paqe në rajon dhe botë. Vendimi për themelimin e ushtrisë së Kosovës ishte i drejt , legjitim dhe mesazh historik”, tha ai.
Sipas tij, këtë vit duhet të marrim edhe një vendim tjetër strategjik për të ardhmen e vendit tonë, duke arritur marrëveshje të përhershme dhe paqësore me Serbinë, jo për të harruar të kaluarën por për të mos lejuar të përsëriten vuajtjet dhe tragjeditë e kaluara, për këtë tha se duhet unitet.
Aktivitetet për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kanë filluar me mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, për të vazhduar me ngritjen solemne të flamurit shtetëror në oborrin e Qeverisë.
Më pastaj, drejtuesit e shtetit, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj, kanë vazhduar me homazhe te shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin Memorial të Familjes Jashari në Prekaz.