Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro, një abstenim, nga 120 deputetë sa i ka kuvendi, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri. Ligjet që u miratuan janë, Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një. Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës dhe kanë paralajmëruar se vendimin e kuvendit për ushtrinë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që është edhe komandanti Supem i FSK-së, tha se “Rrugëtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të qytetarëve të të gjitha komuniteteve”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se “sot, kur ne po vendosim në vend një të drejtë të natyrshme, zotohemi të shikojmë përpara në paqe, me të gjithë ata që jetojnë me ne, në shtëpinë tonë të përbashkët. Me synimin që të jemi pjesë e paktit të NATO-s, ushtria jonë do të jetë përherë aty ku mbrohet jeta, dinjiteti dhe integriteti i njeriut. Aty ku përkasim, përgjithmonë!”, shkroi kryeministri Ramush Haradinaj.
Hezitimi i NATO-s
Kryetari i kuvendit Kadri Veseli, tha se “me këtë votim fillon një epokë e re për shtetin e Kosovës, sepse zyrtarisht Kosova tashmë ka ushtrinë e saj”. Javën e shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një konferencë për medie tha se “Kosova do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”, sepse sipas tij, “ky proces po ndodh në një “periudhë të papërshtatshme”.
Por, vetëm katër ditë pas ishte Komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, James Foggo, i cili tha se “Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, është një vendim sovran”.”Kosova është shtet demokratik, siç jeni ju dhe siç është Serbia. Në demokraci ju zgjidhni njerëz që do të marrin vendime në emrin tuaj. Transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës është një vendim sovran që duhet ta sjellin deputetët e Kosovës. Ne jemi të përgatitur për cilin do vendim që do ta sjellë Parlamenti këtë javë. Ne jemi atje për të garantuar sigurinë e shtetit të Kosovës”, deklaroi të mekurën në Shkup, admirali James Foggo, duke u përgjigjur në pyetjen mbi qëndrimin e NATO-os, rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për formimin e ushtrisë përmes ligjeve.
Prezencë e shtuar ushtarake
Mbështetje parlamentit të Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri përmes ligjeve, i dhanë dy ambasadorët në Kosovë, ai i SHBA-së, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connel. Dhjetra automjete të forcave paqeruajtëse KFOR u dislokuan në pjesën veriore të Kosovës gjatë ditës së djeshme, në kuadër siç tha një zëdhënës i KFOR-it, Vincenzo Grasso, “të një stërvitje të zakonshme”. “Konvoji i automjeteve të KFOR-it drejt veriut të Kosovës, është pjesë e ushtrimeve të rregullta që ky trup i bën në përputhje me mandatin e vet dhe se nuk ka arsye për shqetësim”, tha zëdhënësi Grasso.
Gjatë ditës së sotme, ndërkaq, autoblinda të KFOR-it janë vendosur mbi urën e Lumit Ibër që e ndanë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, atë veriore të banuar më shumicë serbe dhe jugore me shumicë shqiptare. Po ashtu, policia e Kosovës ka konfirmuar prezencën e shtuar në pjesën veriore me qëllim të shmangies së ndonjë incidenti.
Vuçiç viziton kufirin me Kosovën
Nga ana tjetër, mediet në Serbi, njoftojnë se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciç, në ditën kur votohet për ushtrinë e Kosovës, po qëndron afër kufirit të Kosovës, jashtë zonës pesë kilometërshe të sigurisë e vendosur nga NATO në vitin 1999. Jashtë kësaj zone thuhet se ka një përqendrim të forcave ushtarake e policore serbe. Së bashku me Vuçiç citojnë mediet në Serbi, janë edhe ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie gjeneralkoloneli Milna Mojsiloviç.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç, një ditë para votimit në parlamentin e Kosovës të ligjeve për ushtrinë, tha se “qëllimi kryesor i ushtrisë së Kosovës është që të marrë veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët nga ai rajon”. “Kosova është vuajtja jonë e madhe. Themelimi i ushtrisë së saj nuk është në përputhje as me të drejtën dhe as me Rezolutën 1244. Është detyrë e KFOR-it që ta shpërbëjë atë ushtri. Por KFOR-i nuk do ta bëjë këtë, ai do të thotë se ka ndryshuar çdo gjë që nga koha kur është shpallur pavarësia e Kosovës”, citojnë mediet në Serbi Presidentin Vuciq. Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, kanë siguruar se “ushtria e Kosovës nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj dhe se pohimet e Presidentit të Serbisë nuk qëndrojnë”.
“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është faktor kontribuues për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit tonë dhe më gjerë. Ne i sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë NATO-n dhe të gjitha shtetet që dëshirojmë paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të botës”, tha Presidenti Thaci gjatë një inspektimi që u bëri trupave të FSK-së.
Sipas ligjeve që u miratuan të premten në kuvendin e Kosovës që FSK-në e shndërruan në ushtri por pa iu ndërruar emri, FSK do të ketë 5,000 trupa dhe 3,000 rezervistë me një buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh. FSK, do të jetë në thelb një forcë sigurie që merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë të paktën 10 vjet dhe FSK, nuk do të zëvendësojë trupat e NATO-s që janë të dislokuara në Kosovë që nga viti 1999, ndonëse tash me numër shumë të vogël.