Aktualitet Shkarkohet nga detyra drejtori i Bashkisë: Më larguan për arsye politike, Gjykata...

Shkarkohet nga detyra drejtori i Bashkisë: Më larguan për arsye politike, Gjykata të bëjë drejtësi

Largimet nga puna për arsye politike, sidomos në prag zgjedhjesh, janë një fenomen i përhapur gjerësisht në administratën shqiptare. Të shumtë kanë qenë rastet e publikuara në media apo që kanë përfunduar në dyert e gjykatave për të bërë drejtësi ndaj shkeljeve të tilla. Në shumicën e rasteve Gjykatat, bazuar në provat e dorëzuara kanë vendosur pro ish punonjësve duke i detyruar institucionet t’i rikthejnë në punë apo ti dëmshpërblejnë me paga.

Një rast i ngjashëm i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar publikisht shkeljen që pretendon se i është bërë. Ish drejtor në një drejtori në varësi të Bashkisë Tiranë,z.Ilir Thartori thotë se është larguar nga puna nga eprori përkatës pikërisht për arsye politike.

Prej 7 vitesh z.Ilir Thartori ka qenë punonjës i Bashkisë, ku tre vitet e fundit mbante postin e drejtorit të Njësisë së Monitorimit të Terrenit pranë Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit.

Por më datë 13 tetor të këtij viti (2018) ai njihet me një urdhër në të cilin ishte firmosur largimi i tij nga puna, me motivacionin; “Shkelje e rëndë e detyrave funksionale”, pas një mase disiplinore të marrë më herët.

“Atë ditë kisha shkuar në punës si zakonisht, dhe sapo hyra në zyrën time më dorëzohet urdhri në fjalë ku ishte firmosur largimi im nga puna. Mbeta i shokuar sepse nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht isha në dijeni për vendosjen e një mase disiplinore për të cilën sërish ngrita kundërshtimet e mia me argumentet përkatëse, por që të arrinte situata deri në heqjen nga puna, nuk e kisha menduar. E them me bindje të plotë që e gjitha kjo është një ‘skenar’ i përgatitur më herët për të më hequr nga puna për arsye politike, duke filluar që nga masat disiplinore e deri te trysnia dhe presionet që më ishin bërë së fundmi në ambientete punës”, tregon Ilir Thartori.

Paradoksi më i madh për z.Thartori është fakti që gjatë 7 viteve si pjesë e Bashkisë Tiranë, ka marrë vlerësimet maksimale nga drejtuesit përkatës për punën e bërë prej tij, ndërsa eprori i fundit e ‘vlerësoi’ me shkelje të rënda në detyrë, bazuar në një masë të vetme disiplinore.

“Është totalisht e papranueshme edhe masa disiplinore që kam marrë para largimit nga puna. Drejtoresha e Përgjithshme znj.A.Binjaku më vendosi vërejtje si drejtor për faktin që unë nuk pranova të firmosja masën disiplinore për 3 nga punonjësit e mi të cilët nuk rezultuan në vendin e punës pas një kontrolli të bërë në terren nga përgjegjësi përkatës. E vërteta është se për arsye personale dhe shëndetësore punonjësit kishin marrë leje më herët nga unë dhe kjo ishte arsyeja pse nuk ndodheshin në vendin e punës. Por ky shpejgim imi nuk u mor parasysh nga eprori, që e konsideori të arsyeshme të më vendoste mua masë disiplinore për mosbindje ndaj urdhrit të saj, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe; e vetmja mosbindje dhe mospërputhje mes meje dhe drejtoreshës janë bindjet e ndryshme politike që kemi, për të cilat jam sulmuar shumë së fundmi, deri në largimin tim nga puna”, tregoi më tej z.Thartori.

Pas njohjes me masën disiplinore (e cila është e dokumentuar më poshtë bashkë me urdhrin e largimit) z.Thartori më datë 8.10. 2018 i drejtua me një shkresë drejtoreshës së përgjithshme, si kundërpërgjigje ndaj masës disiplinore,ku në këtë shkresë rendiste një nga një të gjitha argumentet se pse kjo masë nuk qëndronte në rastin e tij.

“Kërkoj rishikim dhe heqje të masës disiplinore, pasi motivacioni i përdorur në këtë rast është i padrejtë. Sipas rregullores, përgjegjësja e sektorit nuk mund të jap masë për vërejtje pa u konsultuar me drejtorin e sektorit (në këtë rast me mua),por ka të drejtë vetëm të parashtrojë një propozim për vërejtje tek drejtori i drejtorisë përkatëse, pasi nuk ka kompetenca më tepër se kaq. Në këtë rast gjithçka është bërë e qëllimshme dhe unë nuk jam pyetur fare për këtë situatë. Prej 7 vitesh kam qenë punonjës dhe drejtues së fundmi në Bashkinë e Tiranës dhe shpesh herë kam marrë vlerësimet maksimale për performancën time në punë. Politikën e vazhdoj jashtë orarit zyrtar të punës, nuk e kam përzier kurrë me punën, dhe nuk kam propaganduar publikisht. Drejtoresha e institucionit ku unë punoja nuk ka të drejtë të bëjë lojëra politike në kurrizin tim duke më larguar nga vendi i punës me një motivacion tepër absurd. E them me bindje të plotë se largimi im është bërë për arsye politike, pasi drejtoresha kërkon të vendos në punë militantë të partisë së vet”, shprehet Ilir Thartori.

Bazuar në nenin 37 “Masat disiplinore”, të ligjit Nr.7961, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, parashikon se: “Masat disiplinore parashikohen kryesisht në kontratën kolektive të punës; në çdo rast kontrata individuale duhet ti referohet akteve përkatëse lidhur me masat disiplinore. Procedura e shqyrtimit të masës disiplinore nga punëdhënësi duhet të garantojë të drejtën e punëmarrësit për t’u dëgjuar, mbrojtur, parashtruar fakte dhe prova, brenda një afati të arsyeshëm.

Por pavarësisht çfarë shkruan ligji, kërkesa e z.Ilir Thartori për rishikimin dhe heqjen e masës disiplinore, bazuar në argumentet e paraqitura nuk u mor parasysh nga eprori përkatës.

I mbetur i papunë dhe pa asnjë zgjidhje si kryefamiljar z.Thartori i është drejtuar Gjykatës për të vënë drejtësi. Në kërkesë-padinë e depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë (bazuar në prova dhe fakte) thuhet se largimi i tij nga puna është i padrejtë dhe i kundraligjshëm dhe sipas legjislacionit në fuqi (Kodi i Punës) z.Thartori i takojnë gjithsej 17 paga dëmshpërblim, përfshirë këtu edhe lejen vjetore të papaguar, pas zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës.

Rasti i z.Ilir Thartori nuk është as i pari dhe as i fundit i kësaj natyre në Shqipëri. Konkretisht sipas statistikave të nxjerra; nga prej vitit 2014 deri më sot janë 78 vendime të formës së prerë nga Gjykata për të kthyer nëpunësit e administratës në punë apo dëmshpërblyer ata për largim të padrejtë.

Gjykata e Apelit llogarit një detyrim të shtetit ndaj administratës së larguar prej 40 mln eurosh. Departamenti i Administratës Publike menaxhon 10 mijë pozicione pune të shërbimit civil; 6 mijë pozicione të tjera janë të institucioneve të pavarura dhe qeverisjes vendore, të cilat i administrojnë ata vetë. Në të gjithë administratën publike shqiptare janë rreth 16 mijë pozicione pune pjesë e shërbimit civil, ndërsa pjesa tjetër menaxhohet nga Kodi i Punës”.