Që nga orët e hershme të mëngjesit të djeshëm, Kosova u aktivizua me gjithë kapacitetet për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit dhe më pas për të ndihmuar financiarisht të prekurit nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri.
Mëngjesi i djeshëm nisi me urdhrin që dha presidenti Hashim Thaçi për të dërguar forca ushtarake matanë kufirit për të asistuar në nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat, dhe më pas, shpalljen ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.
Forcat e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me ato të shtetit shqiptar, kryen shumë operacione kërkim-shpëtimi me rezultate shpresëdhënëse, duke shpëtuar jetë njerëzish duke reaguar në “kohën e artë”, pra para 12 orësh.
Por përveç veprimeve të koordinuara nga zyrat e shtetit, organizata të shumta humanitare, parti politike, pushteti lokal, klube sporti, biznese të vogla dhe të mëdha, por edhe individë të shumtë, u gjendën me shpejtësi matanë kufirit për të dalë në ndihmë me të mira materiale dhe gatishmëri të tjera.
Organizata “Jetimët e Ballkanit”, e cila në Kosovë është tejet aktive dhe udhëhiqet nga imami nga Prizreni, Halil Kastrati, është paraqitur në zonën e shkatërruar të Thumanës me kamionë të mbushur me të mira ushqimore dhe higjienike. Organizata madje ka pezulluar aktivitetet në Kosovë duke bartur një pjesë të planeve për ndihmë pikërisht në Thumanë.
Edhe Vetëvendosje, e cila njihet për “afeksionin” e bashkimit kombëtar, gjatë ditës së djeshme ka organizuar mbledhje të fondeve dhe të mirave materiale në secilën pikë të Lëvizjes, duke sjellë më pas në Durrës dhe Thumanë batanije, ushqim dhe mjete bazike.
Edhe klubi sportiv “Plisat” u gjendën duke ndihmuar me ushqime dhe rroba, por edhe duke marrë me vete për strehim banorë të Durrësit që kishin mbetur pa kulm mbi kokë.
Edhe biznese të shumta kanë dërguar kamionë me ndihma bazike dhe veshmbathje, duke krijuar kolonë në kufi.