Ministrja e Arsimit, Besa Shahini reagoi pas publikimit në rrjetet sociale të një faqeje libri shkollor në hartën e së cilës Kosova ishte pjesë e Serbisë.
Shahini, përmes një statusi në faqen e saj në Facebook, shprehu keqardhjen për atë që e cilësoi gabim i paqëllimshëm, ndërsa shtoi se Kosova është republikë dhe shtet i pavarur që njihet si e tillë nga Shqipëria dhe shumë vende të tjera.
“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.
Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!
Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por pa diskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!” – shprehet ministrja shqiptare e Arsimit, që vjen nga Kosova.