Kosova ka marrë një paralajmërim mjaft serioz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për minimin e marrëdhënieve reciproke nëse Prishtina zyrtare nuk e pezullon taksën doganore për t’i dhënë mundësi dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje historike me Serbinë.
Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë thuhet se zyrtarët e lartë amerikanë, gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi, kanë përforcuar mesazhin e presidentit Donald Trump se “duhet shfrytëzohet ky moment unik për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe se të dyja palët duhet të ndërpresin veprimet që e vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”.
Anulimi i vizitave të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në SHBA e ai i pjesëmarrjes së Kosovës në nismat e tryezat ndërkombëtare janë disa nga ndëshkimet per qëndrimin sfidues ndaj taksës. Së fundi, u lakua shumë edhe mundësia e tërheqjes së trupave nga Kosova, por ambasada e SHBA-së në kryeqytetin kosovar i dha mbështetje pranisë së forcave të KFOR-it dhe ushtarëve amerikanë në kampin Bondteel në Kosovë.
“Politika e Shteteve të Bashkuara ende është që të përkrahë KFOR-in dhe praninë e trupave të SHBA-ve në Kampin Bondsteel, që ruan një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Sikurse edhe gjetiu nëpër botë kjo dhe vendosjet e tjera të trupave amerikane u nënshtrohen shqyrtimit të rregullt”, thuhet në deklaratën e saj.
Kryeministri Ramush Haradinaj i cilësoi më herët si shumë të hershme paralajmërimet për largimin e ushtarëve amerikanë nga Kosova, e tha se janë të mirëpritur të qëndrojnë, por ndërkohë e fshikulloi Presidentin Hashim Thaçi duke thënë se kreu i shtetit ka shkaktuar dëme të mëdha Kosovës me diskutimet e tij për ndarjen e vendit.