Pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve për miratuar reformën zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjen për zgjedhjet e 30 qershorit me ligjin aktual, duke mos u ndikuar nga qëndrimi që do të mbajnë partitë politike ndaj Kodit Zgjedhor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë në mbledhjen e radhës pagesat për komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta, si dhe për numëruesit e votave.
Masa e shpërblimit për kryetarin e zv.kryetarin e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor do të jetë 65 mijë lekë, e kjo për angazhimin nga momenti i konstituimit deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ndërsa sekretari dhe anëtarët e KZAZ do të ketë një shpërblim në vlerën në vlerën 60 mijë lekëve, e lidhur si pagesë që nga momenti i konstituimit.
Gjithashtu KQZ do të miratojë edhe shpërblimet për anëtarët e sekretarin e Komisioneve të Qendrave të Votimit. Ata do jenë të pranishëm kryesisht më 29 dhe 30 qershor, pra në ditën e zgjedhjeve. Kështu pagesa është në vlerën 4 mijë lekëve për kreun e KQV-së, ndërsa për anëtarët dhe sekretarët e KQV-së do të paguhet 3,500 lekë . Ndërsa anëtarët e grupit të numërimit të votave pagesa është 6 mijë lekë të reja. Sipas përcaktimit të nenit 28, pika 1, KZAZ-ja ngrihet 90 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të jetë në detyrë deri në dorëzimin në KQZ të dokumentacionit zgjedhor përkatës. Sipas nenit 36, pika 2, propozimet për anëtarët dhe sekretarin e KQV-së bëhen jo më vonë se 30 ditë para ditës së zgjedhjeve. KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-së jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve. Në çdo rast emërimi i tyre bëhet jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve. Anëtarët e KQV-së janë në detyrë deri në dorëzimin e kutisë së votimit dhe materialeve zgjedhore në VNV. Në bazë të nenit 95 të Kodit Zgjedhor, për numërimin e votave në rang ZAZ-je, me vendim të KZAZ-së caktohen Grupet e Numërimit të Votave 10 ditë para datës së zgjedhjeve. Grupet e Numërimit janë në detyrë deri në përfundimin e numërimit të votave për të gjitha qendrat e votimit të zonës së administrimit zgjedhor.
Punësimet e përkohshme
Për të përballuar zgjedhjet e 30 qershorit, KQZ-ja gjithashtu do të shtojnë numrin e punonjësve duke i ofruar një kontratë të përkohshme pune. Do të jenë 337 punonjës të rinj, ku kontrata e punës do të variojë nga 1-6 muaj gjithsej. Edhe pse aktualisht KQZ-ja është me 5 anëtarë, jo e plotë, KQZ-ja ka parashikuar që të marrë 7 sekretarë shtesë për 7 anëtarët e këtij institucioni. Specialist jurist, të IT-së, të marrëdhënieve me publikun, median, si dhe deri te elektricist dhe fonistë janë disa nga profesionet që kërkohen nga KQZ për këtë periudhë që parashikon të mbulojë pjesën parazgjedhore. Për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 Qershor 2019 do të punësohen gjithsej 337 punonjës, me kohë jo të plotë pune.
Kamerat filmike
Monitorimi i procesit të numërimit të votave me anë të kamerave do të zhvillohet në të njëjtën skemë siç është planifikuar edhe në zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht kërkesës për të realizuar numërim elektronike, duket se edhe zbatimi i një projekti pilot do të dështojë. KQZ pritet të miratojë projektvendimin “Për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve), për shfaqjen e fletëve të votimit në Vendin e Numërimit të Votave në Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2019”. Kodi Zgjedhor në nenin 94, pika 4, përcakton se, në Vendin e Numërimit të Votave, KQZ-ja vendos për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi çdo tavolinë numërimi për regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi dhe transmetimin në kohë reale në monitorë (ekrane) të vendosur përballë vëzhguesve.
“Ky proces është përdorur që prej zgjedhjeve për Kuvendin 2009 dhe tashmë KQZ disponon pajisjet kryesore të nevojshme për realizimin e tij. Mendohet në këto zgjedhje të mos ndërtohet sistemi i monitorimit të vazhdueshëm të VNV-ve nga ambientet e KQZ, por në rast nevoje, KQZ mund të lidhet për kohë të caktuar me VNV të caktuara dhe/ose tavolina numërimi të caktuara”, thuhet në relacionin e KQZ-së.