Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirian Celibashi ka sqaruar sot mënyrën sesi do të votohet në fletën e miratuar për zgjedhjet e 25 prillit, e cila siç u vendos një ditë më parë nuk do të ketë emrat e kandidatëve, por numra.
Komisionieri ka treguar se kur quhet një fletë votimi e vlefshme dhe kur jo.
“Nuk do të jenë emrat në fletë, por numrat tregojnë kandidatët të renditur sipas asaj që ka sjellë partia. Votuesit para se të shkojnë për të votuar duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit dhe partisë që duan të zgjedhin. Në çdo qendër votimi do të vendosim postera për të treguar se çfarë numri ka çdo kandidat i çdo partie. Nëse ndonjë nga votuesit do të konfuzohet për numrin e kandidatit, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen te dhoma e fshehtë.
Një votues mund të zgjedhë partinë ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie, nuk mund të zgjedhin dy.
Nuk mund të zgjedhë një parti dhe një koalicion dhe një kandidat të një partie tjetër. Në çdo rast kandidati duhet të jetë brenda kësaj partie. Njëkohësisht një votues mund të votojë vetëm partinë dhe asnjë nga kandidatët që ajo ka propozuar.
Fleta është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat dhe nëse nuk ke zgjedhur partinë apo koalicionin. Kjo fletë numërohet si votë për kandidatin, por edhe për partinë apo koalicionin që i përket. Nuk mund të zgjedhësh dy kandidatë apo dy parti”, u shpreh Celibashi.
Më tej Celibashi, ka bërë thirrje të gjitha palëve që të bëjnë një fushatë të qetë.
Celibashi tha se qytetarët duhet të jenë të lirë të dëgjojnë programet e partive dhe në fund të bëjnë zgjedhjen e tyre pa u trysnuar nga askush.
“U bëj thirrje të gjithë partive dhe kandidatëve, që të bëjnë një fushatë të qetë që qytetarët të zgjedhin lirshëm kë duan dhe të njihen lirshëm me programet“, tha ai.
Po ashtu kreu i KQZ tha se këto zgjedhje duhet të jenë me standardet më të larta.
“Këto zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se të shkuarat, por të jenë me standardet më të larta të mundshme. Të gjithë jemi të vëzhguar dhe të monitoruar dhe të gjithë ata që nuk përmbushin detyrimet e Kodit Zgjedhor dhe të ligjeve do të ketë pasoja nga sanksionet e caktuara me ligj“, shtoi kreu i KQZ.