Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka komentuar për A2 CNN rreth akuzave të ardhura në drejtim të tij nga Partia Demokratike, ku pretendohet se ka thërritur në takim truprojën e kreut të PD, Lulzim Basha.
Lleshaj mohon kategorikisht që të jetë takuar me truprojën e Bashës, njëherësh pjesëtar i Gardës së Republikës, si dhe faktin që ka pasur informacione se kreut të PD i rrezikohet siguria.
“Nuk ka asgjë të vërtetë, ky është një lajm i sajuar nga Partia Demokratike”, thotë Lleshaj për A2 CNN. “Nuk kam asnjë informacion për kërcënime ndaj zotit Basha. Duhet të pyesni Partinë Demokratike për lajme që sajon Partia Demokratike. PD po tenton të prodhojë lajm, në kushte pamundësie për të prodhuar lajm sot, ka lajme të tjera sot”.
Më herët gjatë ditës, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri të ditur se i kishte dërguar një letër Lleshajt për t’i kërkuar shpjegime mbi pretendimet e këtij të fundit se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është në rrezik.
Sipas Bardhit, Lleshaj është takuar në datë 14 qershor me Feim Dollapajn, punonjës të Gardës së Republikës, me detyrë truprojë i Bashës, të cilit i ka komunikuar se ka “informacione të tërthorta dhe të besueshme” se ai është në rrezik dhe pret një përgjigje nëse Basha vlerëson se i nevojiten masa shtesë sigurie.
Bardhi e quan këtë takim si një përpjekje për shantazh që i bëhet kreut të opozitës dhe i kërkon ministrit të Brendshëm që të bëjë publike informacionet që ai ka në lidhje me rrezikun që i kanoset kreut të PD.
Pas publikimit të letrës dërguar ministrit Lleshaj nga ana e Partisë Demokratike, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, thirri në takim kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar, Helidon Bendo, por edhe komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.