Kryesore Kreu i PD zgjidhet më 29 Korrik. Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare

Kreu i PD zgjidhet më 29 Korrik. Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike që u zhvillua mes tensioneve dhe debateve, u vendos hapja e procesit zgjedhor dhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetarin e PD me datë 29 Korrik 2023.

Vendimi u miratua me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime. Sipas vendimit, kandidatët që duan të hynë në garë për drejtimin e partisë, paraqesin kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023.

Në datën 24 Qershor fillon fushata elektorale brenda partisë deri në 27 Korrik. Në çdo degë të PD, brenda datës 15 Korrik kryhet procesi i plotë i evidentimit të anëtarëve me të drejtë vote.

Pas procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri, Kryesia vendosi që në Shtator të zhvillohet edhe Kuvendi i Jashtëzakonshëm Statutor.

Me këtë vendim, ndarja e demokratëve pritet të jetë përfundimtare dhe pa asnjë mundësi bashkimi.

Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare e PD-së

Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike ku u vendos mbajtja e zgjedhjeve për kryetarin e ri më 29 Korrik, Jorida Tabaku, ka dhënë një deklaratë për mediat. Gjatë fjalës së saj, Tabaku ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i saj si nënkryetare e PD-së.

Tabaku thotë se ka refuzuar të marrë pjesë në votim, për të cilin shprehet se e dëmton PD-në për mënyrën dhe në kushtet që është ndërmarrë.

Jorida Tabaku: Kryesia e PD mbas një mbedhje 8 orë të gjatë vendosi për të vazhduar përpara me procesin e zgjedhjeve në parti. Kërkesa ime dhe dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi dhe t’I japim demokratëve një process të drejtë, real dhe që na nderon. Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën se si duhet të riorganizohemi. I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime!

Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo. Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, kolegjit të kryetarëve dhe kontributin e tyre dhe të gjithë ato që kanë qëndruar. I premtova anëtarëve të kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në process. Të mos nxitohemi!

Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si?! Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret! Duke pasur parasysh gjithë situatën, vendosa që të tërhiqem edhe nga pozicioni i nënkryetares së PD!