Qeveria e re e kryeministrit Edi Rama solli jo pak surpriza. Ashtu sikurse edhe vetë ai paralajmëroi në mbyllje të mandatit të dytë, i treti solli ndryshime, figura dhe reformim të papritur.
Në mesin e emrave që përbëjnë kabinetin e ri qeveritar, ka ministra ‘të përjashtuar’ nga loja, ministra që nuk e lirojnë karrigen, ministra që zëvendësohen nga kolegët dhe emra që publiku mund t’i ketë dëgjuar shumë rrallë ose aspak.
Frida Krifca
Në shpalljen e qeverisë së re, kryeministri Edi Rama zgjodhi Frida Krifcën për postin e ministres së Bujqësisë.
Krifca drejton Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural prej viti 2017. Ajo është përgjegjëse për administrimin e skemave mbështetëse të buxhetit në mbështetje të fermerëve. Krifca mundësoi zbatimin dhe zhvillimit e programit IPARD, program ky që vendoste në dispozicion të fermerëve shqiptare, investime në fermë, agro-përpunim dhe zhvillim rural.
Krifca ka mbajtur për 4 vite postin e drejtores për Shqipërinë për Trupat Vullnetare të Shërbimeve Financiare (FSVC), një OJQ me zyra qendrore në Neë York. Ajo ka ofruar për llogari të projektit USAID, ka ofruar asistencë teknike në ndihmë të institucioneve financiare publike shqiptare duke zhvilluar projekte me karakter zhvillues, financiar dhe ligjor në Shqipëri dhe në vendet e rajonit.
Para se të bëhej pjesë e FSVC-së, Krifca ka punuar si drejtore Drejtore Marketingu dhe Marrëdhëniesh me Publikun pranë Tirana Bank.
Delina Ibrahimaj
Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimajt, iu besua posti i ministres së Ekonomisë dhe Financës.
Ibrahimaj u zgjodh si drejtoreshë pranë Drejtorisë së Tatimeve pas shkarkimit të Enton Duros. Karriera e saj ka nisur në Bankën e Shqipërisë, për të kaluar më vonë në Kryeministri si koordinatore për të krijuar një sistem të integruar për shkëmbimin e informacioneve dhe statistikave operacionale mes institucioneve shtetërore. Më pas, Ibrahimaj mori drejtimin e INSTAT.
Edona Bilali
Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen nuk është më në duart e Eduard Shalsit. Rama ia delegoi postin njërës prej figurave më të reja në radhët e socialistëve.
Edona Bilali kryesoi listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e fundit. Një konsulente ndërkombëtare dhe trajnere biznese, do të jetë ministrja e re e Shtetit për Sipërmarrjen.
Edona nuk është një zë i njohur për publikun shqiptar dhe as në jetën politike. Megjithatë, Rama duket se ia ka besuar postin drejtues Bilalit pavarësisht moshës relativisht të re.
Bora Muzhaqi
Kandidatja për Partinë Socialiste në Qarkun e Tiranës, Bora Muzhaqi, gjatë fushatës ishte zëdhënëse dhe imazhi i PS-së, do të drejtojë një nga ministritë e reja, atë të Rinisë për Fëmijët.
Bora ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar. Më pas ajo arriti të pranohet në një nga universitetet më prestigjioze të Europës; “London School of Economics” (LSE).