Aktualitet SHBA kërkon ekstradimin, gjykata vendos 40 ditë burg për Leksi Vulajn

SHBA kërkon ekstradimin, gjykata vendos 40 ditë burg për Leksi Vulajn

40 ditë arrest me burg ka caktuar këtë të premte gjykata për Leksi (Aleksandër) Vulajn, malazezin e arrestuar dy ditë më parë për llogari të SHBA.

Policia e Shtetit, në bazë të informacioneve të marra nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, menjëherë organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh, duke analizuar lëvizjet e këtij personi në territorin shqiptar, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së tij.

41-vjeçari u arrestua më 1 Shtator në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit.

Pas arrestimit materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim fillimin e procedurave te ekstradimit drejt SHBA-së, sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.